Edhe në Obiliq nisin hetimet për manipulim me vota, Prokuroria autorizon Policinë për intervistimin e disa personave të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë bën të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës në Prishtinë për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në njoftim thuhet se më datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.
“Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
















































