Më shumë se 300,000 pasagjerë janë prekur nga ndërprerjet e fluturimeve pasi linjat ajrore, përfshirë Ryanair dhe EasyJet, u detyruan të anulonin qindra fluturime për shkak të grevës së kontrollit të trafikut ajror në Francë.

Punëtorët po organizojnë një grevë dy-ditore, e cila filloi të enjten, më 3 korrik dhe vazhdon edhe sot, më 4 korrik.


Bëhet e ditur se kjo ka ndikuar jo vetëm në fluturimet për në dhe nga Franca, por edhe në ato që fluturojnë mbi vend drejt destinacioneve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Greqinë, Spanjën dhe Irlandën.

Sipas firmës së analizave të aviacionit Cirium, më 3 korrik u anuluan 525 fluturime të planifikuara në aeroportet franceze, ndërsa 501 nisje nuk u zhvilluan.

Një total prej 51 fluturimesh nga Mbretëria e Bashkuar në Francë dhe 51 fluturime nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar u anuluan gjithashtu dje.

Linjat ajrore kanë paralajmëruar pasagjerët për ndërprerje të udhëtimit, me anulime të mëtejshme që priten sot, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndërsa EasyJet, me seli në Luton, tha se kishte anuluar 124 fluturime sot dhe po anulonte 150 nesër për shkak të grevës industriale.

EasyJet tha se klientët janë kontaktuar drejtpërdrejt dhe kanë mundësinë të transferohen në një fluturim tjetër falas ose të marrin një rimbursim, por u këshilloi të gjithë pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre në rast të ndërprerjeve të mëtejshme gjatë dy ditëve të ardhshme.

“Ndërsa kjo është jashtë kontrollit tonë, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të minimizuar ndikimin e grevës”, tha kompania.

Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, i bëri thirrje Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, që të ndërmarrë “veprime urgjente” për të reformuar shërbimet e kontrollit të trafikut ajror (ATC) të Bashkimit Evropian në dritën e ndërprerjes, e cila vjen në fillim të pushimeve verore evropiane.

“Edhe një herë, familjet evropiane mbahen peng nga kontrollorët francezë të trafikut ajror që hyjnë në grevë.”

Ndryshe, Ryanair tha gjithashtu se ishte goditur nga konflikti i fundit në Lindjen e Mesme dhe anuloi më shumë se 800 fluturime muajin e kaluar. /Telegrafi/