E kërkoi me ngulm Lazio, por Kumbulla u entuziazmua me interesimin e Romës: Nuk mendova dy herë për të nënshkruar

Marash Kumbulla është bashkuar javë më parë me gjigantin italian Roma.
Mbrojtësi shqiptar ka bërë një sezon jashtëzakonisht të mirë me Hellas Veronën dhe zgjoi interesimin e shumë klubeve evropiane.
Inter, Lazio, Man Utd, Borussia Dortmund, Fiorentina e Napoli ishin skuadrat e interesuara për të.
Por në fund Roma doli në skenë dhe e rrëmbeu mbrojtësin shqiptar i cili tanimë ka debutuar kundër Juventusit.
“Ndeshja kundër Juventusit ishte shumë emocionuese. Jam shumë i lumtur për debutimin. Sigurisht ka edhe pak zhgënjim pasi duhej të merrnim tre pikët”, tha Kumbulla.
Sa i përket transferimit te Roma, ai thotë se gjithçka ndodhi shumë shpejtë.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ishte e lehtë të zgjidhja Romën. Nuk hezitova për shkak të klubit, qytetit dhe tifozëve. Kur Roma më thirri nuk hezitova. Jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë”, deklaroi Kumbulla.
Reprezentuesi shqiptar është pyetur edhe për interesimin e Lazios.
"Është folur për shumë klube, por kur Roma më thirri thash se kam pranuar vetëm këtë ofertë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që jam këtu", deklaroi Kumbulla.
Krejt në fund mbrojtësi shqiptar tha se objektivi i klubit mbetet të rikthehen në garën më prestigjioze evropiane Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/























































