Site icon Telegrafi

‘E hëna e zezë’ – kaos në Serie B, katër klube i shkarkojnë trajnerët në të njëjtën ditë

(Foto: Instagram/fabiocannavaroofficial)

Derisa klubet në Serie A janë duke i shqyrtuar opsionet e tyre, në Serie B ishte ‘e hëna e zezë’, pasi katër klube i ndërruan trajnerët.

Trajnerët e Juventusit dhe Interit janë në presion në elitë, por në ligën e dytë nuk kanë pritur më shumë që rezultatet të ndryshojnë.

Katër klube vendosën në të njëjtën ditë që t’i shkarkonin trajnerët e tyre.

Lexo po ashtu Cannavaro del si kandidat kryesor për të zëvendësuar Mancinin te Italia

Benevento e largoi Fabio Casertan pas humbjeve nga Cagliari e Brescia dhe është në bisedime me kampionin e botës, Fabio Cannavaro.

Pisa që ishte pranë promovimit në edicionin e kaluar, këtë sezon ka marrë vetëm dy pikë nga gjashtë xhiro, prandaj e shkarkoi Rolando Maran dhe e riktheu Luca D’Angelo, i cili është nën kontratë me këtë klub.

Como është promovuar në Serie B dhe ka investitorë të rinj e lojtarë, si Cesc Fabregas, por Giacomo Gattuso u largua për shkaqe shëndetësore. Sipas Sky Sport Italia, klubi pritet ta angazhojë Moreno Longon në vend të tij.

Perugia i ka ndarë rrugët me Fabrizio Castorin pas vetëm një fitoreje, një barazimi dhe pesë humbjeve, në ligën e dytë dhe Kupë të Italisë. Në bazë të njoftimeve, vendin e tij do ta zë Silvio Baldini. /Telegrafi/

Exit mobile version