LAJMI I FUNDIT:

E gjithë natyra s’është tjetër veçse një teatër magjik

E gjithë natyra s’është tjetër veçse një teatër magjik

Nga: David Lynch
Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Kinemaja është një gjuhë. Ajo mund të thotë gjëra; gjëra të mëdha abstrakte dhe unë e adhuroj këtë.

Disa njerëz janë poetë dhe ata kanë një mënyrë të bukur për të shprehur gjërat me fjalë, por kinemaja ka gjuhën e saj. Kështu, me kinemanë ne mund të shprehim një ndjenjë ose një mendim që nuk mund të paraqitet në asnjë mënyrë tjetër.


Kinemaja është një instrument magjik. Për mua është kaq bukur që të mendoj për këto imazhe dhe tinguj që rrjedhin bashkë nëpër kohë dhe në sekuencë, duke bërë diçka që mund të realizohet vetëm nëpërmjet kinemasë. Është kaq magjike… nuk e di përse, por p.sh., të shkosh në një kinema, dritat fiken, është shumë qetësi, pastaj bie sipari dhe ti futesh në një botë tjetër. Megjithëse kuadrot e një filmi janë thuajse gjithmonë të njëjtë, i njëjti numër në të njëjtën sekuencë dhe me të njëjtët tinguj, çdo ekranizim i saj është i ndryshëm. Është një qark që fillon nga auditori tek filmi dhe mbrapsht. Çdo person është duke parë, duke ndjerë, duke menduar, dhe nga aty nxjerr secili në mënyrën e tij/saj kuptimin e gjërave.

Mua më pëlqejnë historitë që kanë abstraksion dhe kjo është ajo që mund të bëjë kinemaja.

Unë kam qenë piktor. Pikturoja dhe kam ndjekur shkollë arti. Nuk kisha asnjë interes për filmin. Një ditë po qëndroja ulur në një dhomë të madhe studioje dhe po merresha me një pikturë që ishte për një kopsht natën. Kishte shumë ngjyrë të zezë, me bimë të gjelbra që dilnin nga errësira. Papritur këto bimë filluan të lëviznin dhe pastaj dëgjova erën. Mendova sa fantastike ishte kjo dhe fillova të mendoja nëse filmi mund të ishte një mënyrë për t’i bërë pikturat që të lëviznin.

Një ide është një mendim. Ajo është një mendim që përmban shumë më shumë nga sa ç’mendoni ju se ka ai kur ky mendim vjen tek ju. Por, në atë çast ndodh një shkëndijë. Dëshira për një ide është si një karrem. Ti hedh karremin dhe pastaj pret. Dëshira është karremi që tërheq ata peshq për t’i kthyer në ide. Peshqit e vegjël notojnë në sipërfaqe, ndërsa ata të mëdhenjtë poshtë, thellë. Nëse do ta zgjeroni mbajtësin e asaj me të cilën po peshkoni, që është vetëdija juaj, atëherë ju mund të kapni peshq më të mëdhenj.

Kur unë fillova të meditoja isha i mbushur me ankth dhe me frikë. Kisha një ndjesi dëshpërimi dhe zemërimi. Zemërimi, dëshpërimi dhe vuajtja janë diçka e bukur në një histori, por ato janë si helm për regjisorin ose për artistin. Për të krijuar duhet të kesh qartësi. Duhet të jesh në gjendje që të kapësh ide të reja.

Jeta është e mbushur me abstraksion dhe e vetmja mënyrë që ne të bëjmë kokë apo pil, siç bëjmë me një monedhë, është nëpërmjet intuitës tonë. Intuitë do të thotë të shikosh zgjidhjen. Është bashkimi i emocionit me intelektin. Personalisht mendoj se intuita mund të mprihet dhe të zgjerohet nëpërmjet meditimit, të zhytesh brenda vetes.

Brenda secilit prej nesh gjendet një oqean vetëdijeje dhe ai është një oqean me zgjidhje. Kur zhyteni në atë oqean, vetëdija juaj do të rritet dhe rezultati përfundimtar i kësaj rritjeje të vetëdijes quhet ndriçim që është potenciali i plotë për ne të gjithë.

Në këtë botë, tani ka shumë, shumë gjera të errëta që po rrjedhin dhe shumica e filmave reflektojnë atë botë në të cilën ne jemi duke jetuar. Në histori, tek ato botë ku hyjmë ka vuajtje, konfuzion, errësirë, tension dhe zemërim, por regjisori nuk duhet të jetë duke vuajtur në mënyrë që të arrijë të tregojë vuajtje.

Negativiteti është si errësira; ti ndez dritën dhe errësira zhduket. Ne jemi si llambat e dritës. Nëse hareja fillon që të rritet brenda nesh ajo është si një dritë. Ju e shijoni atë dritë brenda vetes suaj dhe nëse kjo dritë ndriçohet edhe më shumë, ju do të jeni në gjendje që të shijoni gjithmonë më shumë prej saj. Dhe, ajo dritë do të përhapet jashtë larg e më larg. Ndoshta, ndriçimi është larg, por thuhet se nëse ecën drejt dritës në çdo hap, gjërat do të shkojnë më mirë. Çdo ditë për mua bëhet gjithnjë edhe më e mirë. Dhe unë besoj se gjallërimi i bashkimit në botë do të sjellë paqe në tokë.

Kështu që unë ju uroj paqe të gjithëve juve! /Defekt Teknik/