A e dini se planifikimi urban është sektori më i korruptuar në Kosovë? Kreshnik Gashi na tregon pse

Në një episod të veçantë të podcastit Diana’Stories, me Kreshnik Gashin, aktivist dhe kryeredaktor i platformës Kallxo.com, diskutohet për rolin vendimtar të gazetarisë hulumtuese në luftimin e korrupsionit dhe në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme.
Gjatë intervistës, Gashi ndan përvojat e tij personale dhe profesionale, duke treguar se gazetaria hulumtuese është më shumë se një profesion, është një mision për drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie.
Ai ndalet edhe te sfidat më të mëdha në këtë fushë dhe te ndikimi real që hetimet mediatike kanë në shoqëri dhe institucione.
“Sektori urban është më i korruptuari, dhe ne e kemi anashkaluar”
Në kuadër të intervistës, Gashi ndalet në identifikimin e trendeve të korrupsionit në vend.
Ai pranon se edhe vetë platforma që drejton, Kallxo.com, për një kohë të gjatë ishte përqendruar vetëm te prokurimi publik, duke anashkaluar sektorë të tjerë, po aq të rëndësishëm.
“Ne secilën veprimtari ku kërkohen leje dhe licenca ka potencial për zhvillim të korrupsionit... Sektori urban është sektori më i korruptuar në vendin tonë, sektori ku njerëzit bëhen multimilionerë brenda natës”, thekson Gashi.
Ai shton se mungesa e debatit publik mbi zhvillimin urban është e qëllimshme, sepse aty ndodhin marrëveshjet më të errëta që përfshijnë politikën dhe biznesin lokal.
Pse zgjodhi gazetarinë hulumtuese?
Në pjesën më personale të intervistës, Gashi ndan arsyet që e kanë shtyrë të angazhohet në gazetari hulumtuese – një profesion i vështirë, por me ndikim të thellë shoqëror.
I formuar nga përvoja të drejtpërdrejta me padrejtësi dhe i prekur vetë nga korrupsioni sistematik në fazat e para të studimeve dhe karrierës, ai vendosi ta shndërrojë këtë përvojë në mision personal.
Përmes gazetarisë hulumtuese, jo vetëm që ka dokumentuar raste të rënda penale, por ka kontribuar në ndryshime konkrete, përfshirë edhe largimin nga detyra të zyrtarëve të drejtësisë të përfshirë në afera korruptive.
Krijimi i një platforme si Kallxo.com, sipas tij, ka pasur qëllim të qartë: fuqizimin e qytetarëve për të raportuar, ndërtimin e një kulture të përgjegjësisë dhe vendosjen e shtetit të së drejtës përmes fakteve dhe transparencës.
Episodi i plotë i intervistës është në dispozicion në kanalin zyrtar të YouTube të “DianaStories”. /Telegrafi/













































