Dy turistë nga Holanda kishin humbur në zonën e Qerretit, shpëtohen nga policia

Dy turistë nga Holanda kanë humbur orientimin gjatë një ecjeje në malet e Pukës, në zonën e Qerretit.
Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë janë nisur drejt zonës malore për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët.
“Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë janë nisur në drejtim të malit të Qerretit, për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët që kishin humbur orientimin”, thuhet në njoftim.
Pas disa orë kërkime, efektivët e Policisë kanë arritur të gjejnë dy turistët holandezë, nga të cilat njëra, shtetasja K.D., kishte pësuar disa dëmtime të lehta pasi ishte rrëzuar gjatë ecjes në mal.
Turistët kanë falënderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë.

















































