Dy shoferë janë sanksionuar nga Policia e Ferizajt pasi janë kapur duke drejtuar automjete në kundërshtim me masën mbrojtëse të heqjes së patentë-shoferit. Të dy rastet janë trajtuar nga Policia e Stacionit Ferizaj dhe Njësia e Komunikacionit Rrugor.

Rasti i parë është regjistruar rreth orës 02:22 në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, ku policia ndaloi shoferin E.H. (23 vjeç). Ai u kap duke qarkulluar me veturën Volkswagen Golf, megjithëse kishte të shqiptuar masën mbrojtëse të heqjes së patentë-shoferit nga data 14 tetor 2025 deri më 13 janar 2026.


Për këtë shkelje, ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 eurosh, 5 pikë negative, si dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për 6 muaj në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Automjeti u konfiskua.

Gjatë verifikimit u konstatua se shoferi kishte grumbulluar 13 pikë negative nga kundërvajtjet e mëhershme, çka solli edhe një masë shtesë: heqjen e patentë-shoferit për 12 muaj të tjerë, përcjell Telegrafi.

Në rastin e dytë, Njësia e Komunikacionit Rrugor kishte ndalur ditë më parë në fshatin Gjyrkovc të Shtimes shoferin Xh.H. (42 vjeç), i cili po ngiste veturën Audi Q5 me targa vendore, edhe pse ndaj tij ishte në fuqi masa mbrojtëse e heqjes së patentë-shoferit nga data 15 tetor 2025 deri më 14 janar 2026. Edhe ky shofer u gjobit me 500 euro dhe u privua nga drejtimi i automjetit për 6 muaj, ndërsa automjeti iu konfiskua. Ai posedonte patentë-shofer të huaj.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos drejtojnë automjete gjatë periudhave të ndalesës ligjore.

Kontrollet në rrugë, sipas policisë, do të intensifikohen në të gjithë rajonin me qëllim rritjen e sigurisë rrugore. Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo shkelje në numrat 192, 0290/326-250, 0290/322-406 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/