Atë natë të 30 dhjetorit 2019, ndërsa ndihej e mikluar dhe e përkëdhelur nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës më të madhe vjetore që zhvillohej në Shangai, një telefonatë nga “shefi” i saj (drejtori i përgjithshëm, Wang Yanyi) e urdhëronte të kthehej urgjent në Vuhan për të ekzaminuar mostrat e para të disa pacientëve të dyshuar me Covid-19. Gjatë gjithë rrugës, një ankth dhe brengë do ta brente shkencëtaren: “Nëse shkaktarët janë koronavirusët, a mund të kenë dalë ato nga laboratori ynë”?
Si një shkencëtare race, ajo e dinte që kjo gjë vështirë të kishte ndodhur, por, gjithsesi, nuk është e pamundur; dhe, kështu ajo zhytet në ‘javën më të zezë’ të jetës së saj. Natë e ditë pa vënë gjumë në sy, do të rianalizonte çdo gjë nga e para, për të identifikuar ndonjë gabim apo pakujdesi që të mund t’i kishte dhënë virusit lirinë për të ikur nga laboratori, në udhëtimin e tij të lumtur në stërkalat e teshtitjeve, me qëllimin e vetëm për të pushtuar botën.
Shi Zhengli, virologia 55-vjeçare, me ringjalljen e teorisë së komplotit si një Zhan d’Ark e kohëve moderne, do të kryqëzohej si asnjë shkencëtar më parë që nga koha e inkuizicionit mesjetar; viktimë e përdorur nga partia dhe diktatura, arkitektja luciferiane e “aksidentit pandemik”, manipuluese e virusit për ta përdorur si armë biologjike; shitëse e “kavjeve të infektuara” në tregjet e kafshëve të egra të Vuhanit për të kompensuar pagat e tyre të mjera, dhe, në rastin më të mirë, e paaftë për të realizuar sigurinë maksimale të detyrueshme për një institut të tillë.
Më 7 janar 2020, sentenca çliruese që sikur i doli nga shpirti: asnjë nga sekuencat gjeonomike të analizuara nuk korrespondojnë me ato të ekzaminuara nga ekipi i saj. Askush nuk deshi ta besojë. Imazhi i saj vazhdoi të demonizohet, ndërsa ajo vazhdoi të luftojë me armët e vetme që njihte prej 30 vitesh: botimet shkencore në revistat me prestigjioze në botë, “Nature” dhe “Lancet”, dy fushëbetejat e saj. Shumë rrallë, prej lodhjes e ezaurimit, reagimet e saj shkencore do të mbartnin emocion kur, mes zemërimit dhe mosbesimit, do të shpërthente: “Ju betohem me jetën time se virusi nuk ka asnjë lidhje me laboratorin tonë”, duke lënë të spikasë ndjeshmëria femërore. Kohët e fundit, teorive konspirative do t’i shtohen edhe deklaratat e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, Macronit deri diku, dhe së fundmi një çmim “Nobel” në Mjekësi (Luc Montagnier) të cilët duket se thua po luftojnë një herezi.
Fatmirësisht, ajo nuk është vetëm. Një sërë studimesh në revistat me prestigjioze, në “Nature”, në “Cell” dhe “Lancet”, si dhe një studim i botuar në PNAS (Revista e Akademisë Kombëtare të Shkencave) në Uashington, evidentojnë bindshëm se ajo “përsosje” e konfigurimit molekular të virusit mund të realizohet vetëm nëpërmjet seleksionimit natyror, duke përjashtuar në mënyrë kategorike manipulimin laboratorik. Virologu i famshëm evolucionist, Edward Holmes, na fton madje “ta harrojmë teorinë e komplotit në Kinë”, duke na dhënë shpresë të shohim buzëqeshjen e pritur në portretin e Zonjës nga Kina.
***
Fytyra e frustruar me sytë si të zënë në faj e Dr. Deborah Birx, do të bëhej më virale se vetë koronavirusi, duke pushtuar të gjitha mjetet e informacionit botëror. Në atë fytyrë, gati transparente, lexohej një amalgamë habie dhe dhimbje e një shkencëtareje, që pjesën më të madhe të jetës së saj e ka kaluar në bodrumet e errëta laboratorike, duke u marrë me viruset, ndërsa imunologu i mirënjohur politik, Dr. Trump, informonte me pasion se kishte zbuluar eliksirin apo graalin e shumëkërkuar nga të gjithë njerëzit e shkencës për mjekimin e pacientëve me Covid-19.
Nëse dezinfektanti amukin, i përdorur për larjen e pjatave dhe dyshemeve, vepron shkëlqyeshëm kundër viruseve, përse të mos e provojmë edhe në mushkëri, duke e injektuar atë në vena – insistonte ai gjatë konferencës së shtypit, ndërsa koordinatorja përgjegjëse për luftën ndaj Covid-19-shit dukej se belbëzonte nën zë vargjet e grupit amerikan të rrokut, R.E.M., të cilët në vitin 1987 këndonin: “It’s the end of the world as we know it” (Është fundi i botës, ashtu siç e dimë).
P.S. Natyrisht, përdorimin e dezinfektantit në vena ai mund ta ketë propozuar, pasi i ka studiuar dhe përjashtuar mundësitë e përdorimit, duke e pire direkt nga shishja apo me lugë gjelle të tretur në gjysmë gote ujë, për shkak të shijes së hidhur, ose ndoshta me shiringë, si më praktike dhe, pse jo, edhe me higjienike
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
JD Vance: Britania e Madhe është një vend i rëndomtë që nuk ka bërë luftë për 30 ose 40 vjet

Sërish kaos në Kuvendin e Serbisë, deputetët hedhin vezë mbi Bërnabiqin dhe ministrat – aktivizojnë aparatin për fikjen e zjarrit

Haxhiu: Le t’i tregojë dikush KPK-së dhe ZKPSH-së, që Albin Kurti nuk është kryeministër në detyrë

Pamjet që e “tradhtuan” Bërnabiqin, tha se deputeten që pësoi sulm në tru u goditën nga opozita – videoja e tregon të kundërtën

Arrestohet i dyshuari që grisi Kuranin në Prizren

Bërnabiqit i dhemb raportimi i mediave kosovare për kaosin në parlament, e përmend edhe Kurtin

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Disa nga këngët e Unikkatilit me të vëllanë, i cili u gjet pa shenja jete në Prishtinë - kanë bashkë hite të pavdekshme

Bashkatdhetarët votuan me disa fletëvotime të zgjedhjeve të 2021-ës

A mund të sigurojë Evropa paqen në Ukrainë, pa SHBA-në?

Man Utd po shpreson ta rikthejë në ekip lojtarin të cilin e larguan para pesë viteve

Numërohen gjysma e votave të ardhura me postë, LVV e para në 8 komuna, pasojnë LDK dhe PDK

Kompania norvegjeze ndërpret furnzimin me karburant për forcat amerikane për shkak të politikës së SHBA-së ndaj Ukrainës