LAJMI I FUNDIT:

“Duhej të fshihej”: Historia sekrete e gruas së parë aziatike që u nominua për Oscar

“Duhej të fshihej”: Historia sekrete e gruas së parë aziatike që u nominua për Oscar
Merle Oberon (foto: Sasha/Getty Images)

Nga: Andrew Lawrence / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com

Ata që shkruanin në revista, nuk dinin çfarë të bëjnë me Merle Oberonin kur në vitet 1930 ajo e pushtoi Hollivudin. Një autor e përshkroi si “të çuditshme, të habitshme dhe ndryshe”, ndërsa të tjerët u mrekulluan me fytyrën e saj “delikate” ovale, sytë “elokuent” prej smeraldi, “buzët e kuqe të ndezura” dhe lëkurën prej “alabastri”.

Ndonëse nominimi i saj për Oscar për Aktoren më të Mirë në vitin 1936 – për dramën The Dark Angel – afirmoi vendin e saj në ligë të njëjtë me aktoren Katharine Hepburn dhe fituesen e çmimit të atij viti, Bette Davis, shumë më vonë bota zbuloi se Oberoni ishte grua nga Azia Jugore, por që shtirej si e bardhë.


Duke pasur parasysh sesi filmi Everything Everywhere All at Once dominon në këtë sezon çmimesh, gjithnjë e më shumë duket e mundshme që Michelle Yeoh do ta marrë në shtëpi çmimin e Aktores më të Mirë. Por, kur Yeoh u nominua, Hollywood Reporter e cilësoi aktoren veterane si “personi i parë që identifikohet si aziatike e që u nominua ndonjëherë për këtë çmim”.

Oberoni fshehu me kujdes identitetin e saj për t’iu shmangur persekutimeve racore dhe në varr e mori këtë sekret. Disa dekada pas vdekjes së saj – në vitin 1979, në moshën 68-vjeçare – bota e mësoi të vërtetën. Kjo, jo loja në The Dark Angel është ajo që me të drejtë duhet çmuar si performanca më e madhe e saj.

“Kur mendon për historinë e përfaqësimit racor”, thotë Shilpa Davé, profesoreshë e mediave në Universitetin e Virxhinias, “Merle Oberon është pjesë e rëndësishme. Sjell një aspekt global në të – nuancat e kafenjta”.

E lindur si Estelle Merle O’Brien Thompson në atë që ishte qyteti indian britanik i Bombeit, Oberon ishte e përkushtuar të përfitonte sa më shumë nga çehrja e saj e bukur. U bë bileta e saj për në botën më të madhe, mburoja që ndihmoi në maskimin e faktit se ishte produkt i përdhunimit. Babai i ishte anglo-irlandez, përgjegjës i një plantacioni të çajit. Nëna e saj, që besohet të ketë qenë me prejardhje nga Shri Lanka, ishte vetëm 14 vjeçe kur lindi në vitin 1911. Foshnjat e lindura nga marrëdhëniet dyracore rriteshin në turp – të shmangur nga britanikët dhe nga indianët.

Familja e quajti Oberon “Queenie”, pasi lindja e saj përkoi me vizitën e Mbretëreshës Mary dhe të mbretit George në Indi. Në një përpjekje për ta zbutur jetën e Oberonit, gjyshja e saj e rriti si të sajën dhe e bindi se nëna e saj adoleshente ishte gjysmëmotra e saj. Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta mbrojtur Oberonin nga talljet e pamëshirshme për trashëgiminë e saj të përzier. Në moshën trevjeçare, pas një shpërnguljeje në Kalkutë, fitoi një bursë në një nga shkollat më të mira private për vajzat në qytet, derisa shoqet e klasës nuk e larguan me racizmin e tyre të hapur. Filmat dhe skena e jetës së natës u bënë arratisja për mbijetesën e saj.

Laurence Olivier dhe Merle Oberon në filmin “Wuthering Heights” (foto: United Artists/Allstar)

Në adoleshencë, Oberoni e mësoi një theks elegant dhe e zbardhte lëkurën e saj me kremra zbardhues që kishin merkur – helm i rrezikshëm që kishte efekt të keq te shumë meshkuj që e kërkonin. Ata që nuk e braktisën pasi zbuluan racën e saj, ndihmuan në sponsorizimin e udhëtimit të saj nga India në Francë dhe në Angli, ku për një kohë punoi si mikpritëse klubi me emrin Queenie O’Brien. Kur u përfshi në lidhje romantike me regjisorin britanik me origjinë hungareze, Alexander Korda, karriera e aktrimit u bë e shpejtë për të.

Roli si Anne Boleyn në filmin e suksesshëm të vitit 1933, The Private Life of Henry VIII, shpalli daljen e saj. Pasoi gara për kopertinën për aktoren e njohur si “Merle Oberon”. U tha njerëzve se kishte lindur në Tasmani, “sepse ishte shumë larg nga ShBA-ja dhe nga Evropa dhe se përgjithësisht konsiderohej si ‘britanike’”, shkroi Marée Delofski, regjisorja e dokumentarit të vitit 2002, The Trouble with Merle  (gjatë jetës së saj, Oberoni dy herë vizitoi Australinë). Pretendoi se të dhënat e saj të lindjes ishin shkatërruar në një zjarr (gjysmëvëllai i saj Harry do t’i zbulojë ato pas vdekjes së saj). Sa për nënën e saj me lëkurë shumë më të errët – gjyshen e saj biologjike – Oberoni e prezantoi si shërbëtore.

I tillë ishte çmimi në shoubiz në kohën kur Hollivudi shfrytëzoi mundësinë për të kontrolluar veten, duke miratuar një sërë rregullash të njohura si Kodi i Hejsit që ndër të tjerash nuk e pranonte romancën ndër-racore. Kur puna e hershme e Oberonit me Kordan, me të cilën u martua, çoi në një karrierë të suksesshme nën producentin Samuel Goldwyn, ishte interesi i të gjithëve që ajo ta mbante mister identitetin e saj. “Mendo pak për këtë”, thotë Davé. “Ishte e varur nga Goldwyni dhe nga Korda, për jetën e saj. Mund ta kuptoj se pse duhej të fshihej në atë mënyrë. Nuk kishte fuqi”.

As nominimi për aktoren më të mirë të vitit 1936 nuk i solli Oberonit ndonjë mburojë. Fillimisht, çmimet Oscar ishin gati një dekadë të vjetra dhe ende jo çmim i standardit të artë. Në anën tjetër, media ishte më e ashpër ndaj aktoreve gra sesa tani dhe Oberon ishte nën vëzhgim.

Një kritik e përqeshi performancën e Oberonit në filmin e vitit 1934, The Scarlet Pimpernel, duke përmendur për një “prirje për të orientalizuar pamjen e saj me anë të grimit të fytyrës dhe pjerrësisë së vetullave të zeza”. Kur një lajm i vitit 1934 në Los Angeles Times e përdori termin “euro-aziatike”, për ta përshkruar atë, Oberoni e hodhi poshtë. Në një fushatë reklamuese për Max Factor, marka e kozmetikës u mburr sesi grimi i saj e ktheu atë nga “jorealja dhe ekzotikja” në “vajzë të bukur, simpatike”.

Merle Oberon dhe Leslie Howard filmin “The Scarlet Pimpernel” (foto: Allstar Picture Library Ltd/Alamy)

Është ironike se ajo nominohet për Oscar, për The Dark Angel, që është film për një lidhje dashurie të Luftës së Parë Botërore; një lidhje e ndërlikuar ku protagonisti pëson lëndim nga beteja gjë që i kushton me shikimin. Çuditërisht, ishte i vetmi nominim i Oberonit, edhe pse vazhdoi të punonte deri në fillim të viteve 1970. Luajti përballë aktorit Laurence Olivier në Wuthering Heights më 1939 dhe si vetja në The Oscar të vitit 1966.

Dëmet që ia kishte shkaktuar lëkurës së saj përdorimi i kremrave zbardhues dhe aksidenti automobilistik që e la të shpërfytyruar, e detyroi Kordan të braktiste realizimin e filmit epik, I, Cladius. Për të fshehur të çarat në fasadën e bardhë të Oberonit, që ato të mos shfaqen në ekran, kineasti Lucien Ballard zhvilloi një dritë të veçantë kamere për të errësuar plagët e fytyrës së saj. Kjo pasi “Zonja Korda” u nda nga bashkëshorti i saj regjisor, për t’u martuar pastaj me Ballardin.

Në tatëpjetën e saj, Oberoni kënaqej me statusin e zonjës madhështore, duke i mahnitur gazetarët e revistave me rrëfimet e saj të vërteta të Hollivudit, ose gjatë prezantimit të çmimit për filmin Poseidon Adventure në ndarjen e çmimeve Oscar më 1973. Charlton Heston e quajti atë “zonja, bukuria e së cilës nuk është vetëm një legjendë, por realitet”.

Por, edhe pse kohët ndryshuan dhe neveria e Hollivudit ndaj përzierjes së racave në ekran nisi të qetësohej, Oberoni mbeti e përkushtuar ndaj gënjeshtrës së saj. Kur nipi i saj Michael Korda, në atë kohë kryeredaktor në Simon and Schuster, u përpoq të shkruante një biografi për Oberonin, thotë ai, ajo e kërcënoi se do ta padiste dhe do ta largonte nga testamenti nëse i përdor detajet e vërteta.

Sipas historianes australiane Cassandra Pybus, vizita në Hobart në vitin 1978 u bë e vështirë për Oberonin kur zyrtarët nuk mund të gjenin prova se kishte lindur në Tasmani. Oberon shmangu gazetarët dhe anashkaloi një ceremoni në një teatër që u quajt sipas saj, për ta nderuar.

Një vit më vonë vdiq në Malibu, nga goditja në tru. /Telegrafi/