“Dua të luaj sërish për Kosovën”, Vesel Demaku me qëllim të qartë para ndeshjeve të marsit

Mesfushori Vesel Demaku thotë se dëshiron të vazhdojë me paraqitje pozitive, në mënyrë që të merr ftesë nga Franco Foda për dy ndeshjet e muajit mars.
Demaku mungoi në tërë kualifikueset e Kupës së Botës shkaku i lëndimit, kurse ka shkëlqyer kur u rikthye nga lëndimi, sidomos në sistemin e trajnerit të ri të Altachut, Ognjen Zaric.
Ai për mediat austriake ka konfirmuar se prioriteti kryesor është të vazhdojë me formën e njëjtë, me shpresën që të merr ftesë nga Foda për ndeshjet e muajit mars.
“Shumë stërvitje”, u përgjigj Demaku kur u pyet se si e riktheu formën.

“Dua të vazhdoj në këtë mënyrë me Altach për të bërë më mirë se këto vitet e fundit. Personalisht, dua të rikthehem te Kombëtarja e Kosovës me këto paraqitje pozitive, pasi mungova në vjeshtë shkaku i lëndimit”.
Ndërkohë, edhe trajneri Zaric kishte shumë lëvdata për mesfushorin dardan.
“Është tepër i përgatitur, djalë shumë i shkëlqyer si person, për më shumë skuadra është tepër e rëndësishme për të”.
Mbetet të shihet nëse Demaku do të merr ftesë nga Foda për ndeshjet e marsit, pasi konkurrenca te skuadra dardane është rritur tepër shumë këta muajt e fundit në atë pozitë, me emra si Leon Avdullahu e Veldin Hoxha pranë Elvis Rexhbeçaj./Telegrafi


















































