Komunat e Kosovës gjatë vitit 2025 janë përballur me probleme financiare shkaku i kontratave kolektive, që më pas kanë përfunduar tek përmbaruesit.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Telegrafin ka sqaruar situatën me të cilën janë përballur kryetarët, duke thënë se mbi 125 milionë euro u janë marrë komunave nga vendimet gjyqësore.


“Gjatë vitit 2025, komunat e Republikës së Kosovës janë përballur me një barrë tejet të rëndë financiare si rezultat i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të zbatuara përmes proceseve përmbarimore, përmes të cilave nga buxhetet komunale janë ekzekutuar mbi 126 milionë euro”, tha ai.

“Nga kjo shumë Mbi 88.5 milionë euro janë marrë drejtpërdrejt nga shpenzimet kapitale. Në këtë barrë financiare ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme edhe zbatimi i Kontratës Kolektive për Arsimin, e cila, ndonëse e nënshkruar në nivel qendror, po zbatohet financiarisht nga komunat”.

Ibrahimi shtoi më tej se situatë e rënduar gjatë vitit që lamë pas, po reflektohet edhe në këtë fillim vit: “Pasojat e këtyre proceseve përmbarimore dhe të kontratës kolektive do të vazhdojnë të reflektohen edhe këtë vit”.

“Për këtë arsye, kërkohet urgjentisht një zgjidhje institucionale nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfshirë: adresimin e pasojave financiare të proceseve përmbarimore; gjetjen e një mekanizmi të qëndrueshëm për financimin e kontratave kolektive; mbrojtjen e buxheteve kapitale të komunave nga ekzekutimet e mëtejme”.

“Pa një ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar, komunat do të vazhdojnë të humbasin kapacitetin për të investuar në zhvillim lokal, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët”, përfundoi Drejtori i AKK-së. /Telegrafi/