Dosja e Prokurorisë: Kush janë të akuzuarit për sulmin kundër policëve e doganierëve në aksionin kundër kontrabandës më 2021?

Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq, Marko Rakiq, Nenad Milkoviq e Aleksandar Llaziq janë gjashtë personat ndaj të cilëve Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) tashmë ka ngritur aktakuzë.
Ata akuzohen për huliganizëm, pjesëmarrje në turma si dhe për armëmbajtje pa leje, vepra këto të cilat sipas PSRK-së janë kryer më 13.10.2021 në Mitrovicë të Veriut në aksionin e Doganës dhe Policisë së Kosovës kundër kontrabandës me barna.
KALLXOka siguruar dosjen e aktakuzës në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e tashmë të akuzuarve, të cilët sulmuan Policinë. Disa pjesëtarë të Policisë janë lënduar e plagosur.
Në protestën e organizuar ishin përdorur mjete të forta e mjete shpërthyese, ndërsa dyshohet se u përdorën edhe armët e zjarrit.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, më 13.10.2021, i pandehuri Sreqko Sofronijeviq, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar me dashje dhe dijeni për veprimet e përbashkëta të turmave të mbledhura, ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve pasi kishte gjuajtur me sende të forta e gurë drejt zyrtarëve policorë e të Doganës.
Turma e personave që ishin mbledhur për të kundërshtuar aksionin në atë kohë ishin të pajisur edhe me maska anti-COVID ndërsa në duar mbanin siç përshkruan aktakuza edhe shishe plastike me përmbajtje të lëngshme, kanë hedhur bombolë gazi në drejtim të automjeteve të cilat ishin në afërsi të barnatores “Lilia” në Mitrovicën e Veriut.
Dëmi që po dyshohet se shkaktuan Sofrenijeviq e të tjerë, sipas Prokurorisë, ishte 20 mijë euro.
I njëjti, sipas Prokurorisë, dyshohet edhe për një rast tjetër.
Sipas PSRK, Sofrenijeviq dyshohet se në ditën e njëjtë rreth orës 10:00 në Zveçan në afërsi të Urës së Hekurt, në fshatin Rudar, pretendohet se bashkë me persona të tjerë kishin sulmuar policët e Njësisë Speciale, të cilët ishin duke u kthyer pas një aksioni që ishin duke e zbatuar në bazë të urdhëresës së gjykatës.
Me shufra, gurë, granata dore, grupi dyshohet se i kishte zënë pritën Policisë dhe e kishte sulmuar pasi anëtarët e tij ishin vendosur në formë të barrikadës. Mjetet e blinduara të Policisë pretendohet se ishin qëlluar edhe me plumba.
E në këtë sulm ishin lënduar kapiteni Besart Ahmeti bashkë me dy zyrtarë të tjerë E. Vitaku e S. Ademi.
Me këto veprime Sofrenijeviq po dyshohet se ka kryer veprën penale të pjesëmarrjes në turmë dhe huliganizmit.
Në të njëjtën ditë, dyshohet se Nenad Milkoviq dhe Aleksandar Llaziq në Mitrovicë të Veriu në intervalin kohor 08:30 – 10:00, në aksin rrugor afër barnatores “Lilia”, te udhëkryqi i rrugës që lidhet me Shkollën Teknike, kanë marrë pjesë në turmat e mbledhura duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve në atë mënyrë që të njëjtit bashkë me persona të tjerë të mbledhur kishin sulmuar zyrtarët policorë që ishin duke kryer aksionin policor brenda barnatores duke gjuajtur gjësende të forta, hedhur bombola të gazit e “shok-bomba”.
I pandehuri Nenad Milkoviq në afërsi të barnatores po akuzohet se ka sulmuar zyrtarin policor B. Sheremeti me gurë, ndërsa nga veprimet e përbashkëta të pjesëmarrësve në turmë iu vu flaka automjetit të Doganës së Kosovës.
E Llaziq po akuzohet se me kamionin e tij kishte bllokuar udhëkryqin e rrugës te Shkolla Teknike në Lagjen e Boshnjakëve. Kamioni ishte vendosur si barrikadë për bllokimin e rrugëve.
Edhe Llaziq e Milkoviq akuzohen për pjesëmarrje në turmë e huliganizëm.
Aktakuza përshkruan edhe veprimet e Marko Rakiqit, Ilija Viqentijeviq dhe Millan Viqentijeviqit.
Sipas dosjes së aktakuzës, këta të tre, me maska në fytyrë, ishin vendosur në turmën e mbledhur, dhe deri sa Dogana ishte duke kryer aksionin në shtëpinë e Vitomir Viqentijeviqit të njëjtit dyshohet se kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe të Doganës me gjësende të forta, kanë hedhur bombola gazi si dhe kanë shtënë me armë në drejtim të Policisë dhe zyrtarëve të Doganës si dhe në drejtim të automjeteve të Doganës e Policisë.
Pas kësaj turma dyshohet se shkoi drejt barnatores “Lilia” në Mitrovicë të Veriut, e më pas i vihet flaka një veture të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës, me ç’rast ishin lënduar pesë zyrtarët policorë: Xhevdet Murati, Milivoje Miletiq, Agim Rexhepi, Blerim Sheremeti e Artan Mahmuti.
E nga aty policët largohen me dy zyrtarët e Doganës, B. Shala e N. Mirena.
Bastisja e barnatores “Lilia” dhe kush ishte pronare e saj
Gordana Mihajloviq, pronarja e barnatores ‘Lilia’ në Mitrovicën e Veriut, në mars të vitit 2024 ishte emëruar drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut ndërsa barnatorja e saj ishte cak i një bastisjeje nën dyshimet se po kryhej veprimtari ilegale – kontrabandë me mallra.
Një hetim disamujor i Doganës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe Prokurorinë Speciale e atë të Mitrovicës do të shtrihej në terren në një aksion kundër kontrabandës me mallra, kryesisht me barna, në disa lokacione e qytete në tetor të vitit 2021.
Një nga to ishte edhe lokacioni në Mitrovicën e Veriut. Barnatorja “Lilia” ishte identifikuar si një objekt në të cilin shiteshin barna të kontrabanduara, kryesisht nga Serbia.
KALLXO.com ka arritur që të ketë qasje në dosje të hetimit e cila e nxjerr barnatoren në pronësi të Gordana Mihajloviqit, e cila ishte emëruar drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut.
Ajo ishte zgjedhur në këtë pozitë pas rekomandimit të cilin kryetari i Komunës, Izmir Zeqiri, e mori nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ky i fundit është zgjedhur në pozitën e ministrit nga kryeministri Kurti në vitin 2022.
Gordana Mihajloviq nga një grua e cila njihej se në barnatoren e saj do të kryhej një bastisje për shkak të dyshimeve për kontrabandë me barna, zuri vend edhe në takime me ministra të Qeverisë Kurti.
Hulumtimi i KALLXO.com zbardhi se si Gordana Mihajloviq, ish-partnerja e njërit nga njerëzit e fuqishëm në veri të vendit i njohur si bosi shqiptar i kontrabandës, Besim Zeqiri, i njohur me nofkën ‘Kaça’, arriti të marrë pozitë zyrtare dhe të takohet me ministra të Qeverisë Kurti 2.
E për dhunën që u përdor ndaj policëve të Kosovës në aksionin e Doganës të vitit 2021, në të cilin shtatë zyrtarë policorë ishin lënduar e plagosur, kishin reaguar edhe kryeministri edhe ministri i Brendshëm.
Aksioni policor ishte përcjellë në atë kohë edhe me protesta nga dhjetëra qytetarë, të cilët kishin dalë kundër këtij aksioni, i cili nuk po zhvillohej vetëm në Mitrovicë të Veriut.
Në incidentet që u shënuan atje në po atë ditë ishin përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe ishin dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.
Pamjet që ishin transmetuar në atë kohë tregonin se si zyrtarët policorë që kishin hyrë për të kryer bastisjen në barnatoren “Lilia” tentojnë të largohen nga aty por te shkallët ballafaqohen me turmën e protestuesve të cilët hodhën gjësende të ndryshme, e mjete të forta drejt policëve.
Pas protestave, në terren mbetën dëshmi të asaj që kishte ndodhur, mes tyre edhe plumba, shok-bomba e mjete të tjera që ishin përdorur.
Barnatorja e cila do bastisej më 13.10.2021 ishte dhe është në pronësi të Gordana Mihajloviqit, e identifikuar si partnerja e Besim Zeqirit, i njohur si ‘Kaça’, i cili është person i njohur për drejtësinë në Kosovë.
Më 13.10.2021 përveç bastisjes që kishte kryer në Mitrovicë të Veriut, pPolicia kishte shpallur në kërkim edhe pesë persona të dyshuar si të involvuar në këtë rast. Një ndër ta ishte edhe “Kaça”, i njohur si bosi shqiptar i kontrabandës.
Vetëm disa muaj më vonë pas arratisjes, ‘Kaça’ do të arrestohej nga Policia, do të qëndronte në paraburgim e më pas do të lirohej nga kjo masë e sigurisë.
Në vitin 2023, Komuna e Zubin Potokut ngjashëm sikurse edhe dy komunat e tjera, Leposaviq e Zveçan, patën probleme për muaj me radhë pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj shqiptarë për të udhëhequr komunat me shumicë serbe.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, disa herë kishte thënë se mirëpret qytetarët serbë në komunën që udhëheq që të bëhen pjesë e institucioneve lokale dhe të mos i bojkotojnë ato.
Kurti e Sveçla dënonin protestat ndaj aksionit kundër kontrabandës në veri
Fundi i ditës 13.10.2021 tregonte se për shkak të aksionit të Doganës e Policisë kundër kontrabandës në Mitrovicë të Veriut, në rrugët që të dërgojnë drejt Shkollës Teknike e sheshit ‘Car Llazar’, kishte mbetje të mjeteve piroteknike, shok-bombave, vetura të dëmtuara e barrikada që ishin vendosur në mes të rrugës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Shtatë policë ishin lënduar pasi ndaj tyre u përdorën mjete të forta nga protestuesit që kundërshtonin aksionin.
Përveç policëve edhe ekipet e gazetarëve ishin sulmuar nga persona të ndryshëm, disa nga ta të maskuar.
Gjatë asaj dite, sulmet dhe situatën e krijuar e kishte dënuar ashpër në atë kohë edhe kryeministri Albin Kurti e edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
Madje ministri i Brendshëm kishte thënë më 13.10.2021 se ‘operacioni nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti por kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra’.
“Operacioni i sotëm nuk i është drejtuar asnjë nacionaliteti apo komuniteti që jeton në Kosovë. Ai i është drejtuar kriminelëve që janë identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territorin e Republikës sonë. Kriminelët nuk ndahen në grupe etnike”- kishte shkruar Sveçla në Facebook më 13.10.2021.
Dy vite pas ngjarjes që kishte ngritur tensione në veri të vendit, Ministria për Komunitete dhe Kthim, konkretisht Nenad Rashiq i cili është emëruar ministër nga kryeministri Albin Kurti, pretendohet se i ka propozuar Komunës së Zubin Potokut që të caktojë si drejtoreshë të Shëndetësisë, Gordana Mihajloviqin, partneren me të cilën bashkëjetonte ‘Kaça’.

















































