LAJMI I FUNDIT:

Dorëzimi i të dhënave të bizneseve në KESCO, AIP ngre shqetësime për shkelje të të dhënave personale

Dorëzimi i të dhënave të bizneseve në KESCO, AIP ngre shqetësime për shkelje të të dhënave personale

Agjencia për Informim dhe Privatësi ngre shqetësime rreth të dhënave të cilat bizneset kosovare janë të obliguara t’i dorëzojnë në KESCO. Në anën tjetër, edhe vetë bizneset thonë se nuk është e drejtë që KESCO të ketë qasje në informacione që centrojnë të dhënat personale.

Më 12.03.2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) njoftoi për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Vendimi i këtij institucioni parashihte që bizneset në Kosovë të dorëzojnë të dhëna mbi qarkullimin dhe numrin e punëtorëve tek Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO, në mënyrë që të kategorizohen rreth furnizimit me rrymë nga tregu i rregulluar apo tregu i lirë i energjisë.

Më 13.03.2025, KESCO përmes një njoftimi publik, paralajmëroi të gjitha bizneset në Kosovë, se nëse nuk i dorëzojnë të dhënat për numrin e punëtorëve dhe qarkullimin, do të përjashtohen nga tregu i rregulluar i energjisë.


Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, dokumentet që kërkohen përmbajnë edhe të dhëna personale. Shqetësimet, AIP i ka ngritur si tek Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila i lëshon dokumentet mbi qarkullimin dhe numrin e punëtorëve, ashtu edhe tek ZRrE dhe KESCO.

“Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, është vërejtur se vërtetimi aktual i lëshuar nga ATK për numrin e punonjësve përmban të dhëna personale të punonjësve (përfshirë emrin, mbiemrin, numrin personal, etj.)” , thuhet në përgjigjen e AIP.

“Dërgimi i këtij vërtetimi tek KESCO për qëllim të dëshmisë së numrit të punonjësve është në kundërshtim me parimet e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, veçanërisht nenet që rregullojnë përpunimin e të dhënave personale dhe parimin e minimizimit të të dhënave”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Sipas këtij institucioni, bizneset para se t’i dërgojnë të dhënat në KESCO, mund t’i anonimizojnë të njëjtat.

“Është në përgjegjësinë e vetë bizneseve, që nëse dërgojnë këtë dokument i cili përmban të dhëna personale të aplikojnë anonimizimin e të dhënave duke i mbuluar të dhënat që nuk janë të nevojshëm për arritjen e qëllimit”, thuhet tutje në përgjigje.

Kushtrim Ajvazi, ekspert financiar nga kompania “Pestova” ka thënë se qasja në informacione për punonjësit dhe pasqyrat financiare të bizneseve nga KESCO nuk është e drejtë.

“Nuk mundesh me marrë në ATK raport të veçantë ku shënon vetëm numri i punëtorëve, KESCO-s i duhet vetëm sa është numri i punëtorëve dhe sa është qarkullimi. Duhet me nxjerr një gjendje të përgjithshme të biznesit, ku pasqyrohen të gjitha obligimet dhe qarkullimi i biznesit, që unë mendoj që është e padrejtë që KESCO me pasë qasje në këto informata dhe ndoshta ka me pas [qasje] në pasqyrat financiare të biznesit…”, ka deklaruar Ajvazi.

Në anën tjetër, zyrtarët nga KESCO kanë shpjeguar se çfarë të dhëna po kërkohen dhe kush nga punëtorët e kësaj kompanie kanë qasje në to.

“Bizneset veç kanë fillu me dorëzu te ne informacione në një formularë ku shkruan numri i punëtorëve dhe është një formular tjetër në të cilin theksohet qarkullimi”,  ka thënë Rudina Heroi-Puka.

“Ka informata më tepër se qarkullimi, por ne veçse kemi qasje në informata të ndjeshme për konsumator dhe jemi pjesë e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Punëtorët në kompaninë tonë e nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit për shkak të ndjeshmërisë. Meqë kemi të bëjmë me informata të ndjeshme komerciale, ne e kemi caktuar një numër të punëtorëve që merren me këtë rast specifik, të cilët e kanë nënshkruar një deklaratë shtesë”, ka shpjeguar ajo.

Sot, më 21.03.2025, sipas KESCO-s, është dita e fundit që bizneset duhet t’i dorëzojnë të dhënat mbi qarkullimin dhe numrin e punonjësve.

“Mijëra biznese të tjera ende nuk e kanë kryer këtë obligim dhe afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit po përfundon këtë javë, pra është aktiv deri të premten, më 21 mars”, njoftoi KESCO më 18.03.2025.

“Bizneset që nuk i sjellin dëshmitë që merren në Administratën Tatimore të Kosovës, pavarësisht madhësisë së tyre, me vendim të ZRrE-së, nuk do të mund të furnizohen nga KESCO me tarifa të rregulluara, por do të dalin në treg të hapur dhe duhet ta gjejnë vetë furnizuesin”, thekson njoftimi.

Portali ka dërguar pyetje edhe në ATK për të kuptuar se çfarë të dhëna po lëshon për biznese dhe a ka të drejtë KESCO të ketë qasje në ato të dhëna, por deri në publikimin e këtij shkrimi, ATK nuk ka kthyer përgjigje.

Zyra e Rregullatorit për Energji, më 12.03.2025, ka njoftuar për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas njoftimit, të gjithë konsumatorët familjar dhe jofamiljar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së 10 milionë euro, ose jo më shumë se  50 punonjës, do të jenë përfitues të shërbimit universal të energjisë elektrike.

Ndërsa, të gjithë konsumatorët që nuk i plotësojnë këto kritere, sipas njoftimit, do të kalojnë në treg të lirë të energjisë elektrike./Kallxo.com/