Donatella Versace u shfaq e përhumbur dhe me një figurë të zymtë teksa i bëri homazh Giorgio Armanit, i cili u nda nga jeta të enjten në moshën 91-vjeçare.

Stilistja 70-vjeçare veshi një kostum të errët me fund në linjë A dhe mbajti në duar një buqetë me lule të bardha, të cilat i vendosi jashtë Teatrit Armani në Milano, vendi ku mjeshtri i modës prezantonte rregullisht koleksionet e tij.


E shoqëruar nga kryebashkiaku i Milanos Giuseppe Sala dhe personalitete të kinemasë si Gabriele Salvatores e Giuseppe Tornatore, Versace u pa me syze të errëta dhe kokën ulur në shenjë pikëllimi, shkruan DailyMail.

Edhe pse shpesh konsideroheshin rivalë në industrinë e modës, Donatella ishte ndër të parat që reagoi ndaj humbjes, duke postuar një emoji me zemër të thyer dhe më pas duke shkruar: “Bota humbi një gjigant sot. Ai bëri histori dhe do të mbahet mend përgjithmonë”.

Homazhet për Armanin po zhvillohen për tre ditë radhazi, përpara një funerali privat. Atmosfera në Milano ishte e mbushur me emocione, me qirinj që ndriçonin rrugën dhe muzikë të butë pianoje nga Ludovico Einaudi në sfond.

Arkivoli i mbyllur ishte zbukuruar me trëndafila të bardhë me kërcell të gjatë dhe ruhej nga roje nderi të karabinierëve.

Kryebashkiaku Sala e përshkroi Armanin si një “njeri me elegancë të jashtëzakonshme” dhe kujtoi se Milanoja mbetet e mbushur me shenjat e tij, duke e bërë të pamundur ta harrosh.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe një numër i madh admiruesish që kishin ardhur nga e gjithë Italia, disa prej të cilëve mbanin veshur krijime të stilistit në shenjë respekti.

Armani, i cili do të festonte 50-vjetorin e karrierës së tij këtë vit, u vlerësua ndërkombëtarisht për stilin e tij të thjeshtë, por të sofistikuar, dhe mbetet një prej emrave më të mëdhenj që kanë shënuar historinë e modës.

Në mesazhin e fundit që ai kishte lënë për publikun, shkruante: “Gjurma që shpresoj të lë është ajo e përkushtimit, respektit dhe kujdesit të vërtetë për njerëzit dhe për realitetin. Atje fillon vërtet gjithçka”. /Telegrafi/