DokuFest me mbështetjen e Ipko nis punëtorinë për gjeneratën e re të kineastëve, NextGen Filmmakers

“The NextGen Filmmakers of DokuFest”, mbështetet medialisht nga Telegrafi.com
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, ka nisur sot një nga aktivitetet më kreative për të rinjtë: punëtorinë “NextGen Filmmakers”, dedikuar fëmijëve të moshës 12–15 vjeç që ëndërrojnë të bëhen krijues filmash.
Punëtoria po mbahet në Innovation and Training Park (ITP) në Prizren dhe do të zgjasë deri më 3 gusht, duke sjellë dy ditë intensive mësimi dhe krijimtarie, nga ora 12:00 deri në 15:00. Ngjarja organizohet në bashkëpunim me IPKO dhe është pjesë e programit edukativ DokuKids, që synon të nxisë tregimin vizual dhe kreativitetin përmes përvojës praktike.
Pjesë e rëndësishme e kësaj punëtorie është prezenca e fotografit të njohur, Korab Basha.
Ai do të udhëheq pjesën e fotografisë, duke ndarë përvojën e tij me pjesëmarrësit dhe duke i mësuar ata teknikat bazë për të krijuar imazhe që tregojnë histori.
Pjesëmarrja e tij në këtë projekt është një mundësi unike për të rinjtë që të mësojnë nga një profesionist i nivelit të lartë, i cili e sheh fotografinë si mjet fuqishëm transformues për tregimin dhe identitetin.
Përmes kësaj punëtorie, pjesëmarrësit do të mësojnë si të krijojnë dokumentarë të shkurtër – nga idetë e para, te xhirimi me smartphone apo kamera profesionale, e deri te montimi final.
Punimet e tyre do të përfshihen në filmin “The NextGen Filmmakers of DokuFest”, që do të prezantohet në kuadër të festivalit dhe do të shpërndahet në të gjitha kanalet e Telegrafi.com.
Organizatorët bëjnë thirrje për aplikim të menjëhershëm, duke i ftuar të gjithë të rinjtë e apasionuar pas tregimit vizual të bëhen pjesë e kësaj përvoje të paharrueshme, që ndërthur artin, teknologjinë dhe inspirimin nga figurat më të spikatura të fushës.





















































