Netflix ka njoftuar premierën e një dokumentari kushtuar njërit prej futbollistëve më të talentuar në histori, Ronaldinho, i cili do të publikohet më 16 prill.

Filmi trajton jetën e tij personale dhe profesionale, duke sjellë detaje si për magjinë e tij në fushë, ashtu edhe për jetën e tij jashtë saj.


Dokumentari synon të tregojë anën e plotë të një figure që u bë ikonë botërore e futbollit, por që njëkohësisht pati edhe periudha të vështira jashtë sportit.

Sjellja jashtë fushës dhe impakti në karrierë

Një nga temat kryesore në dokumentar është mënyra e jetesës së Ronaldinhos jashtë fushës, e cila, sipas dëshmive të ndryshme, ka ndikuar në karrierën e tij në nivelin më të lartë.

Ish-trajneri i tij te Paris Saint-Germain, Luis Fernandez, kujton periudhën kur braziliani ishte ende i ri në Evropë dhe thotë se ai shpesh dilte natën para ndeshjeve dhe nuk flinte deri në orët e para të mëngjesit.

Sipas tij, kjo sjellje ishte një nga faktorët që ndikoi në mosshfrytëzimin maksimal të potencialit të tij të jashtëzakonshëm.

Messi: Ai ma lehtësoi gjithçka që në fillim

Një nga momentet më të veçanta të dokumentarit është pjesëmarrja e Lionel Messi, i cili flet për marrëdhënien e tij me Ronaldinhon gjatë fillimeve të karrierës te FC Barcelona.

Messi kujton rolin e brazilianit si lider në dhomën e zhveshjes dhe ndikimin që ai pati tek ai si lojtar i ri.

“Ai ishte udhëheqësi i dhomës së zhveshjes dhe mënyra se si më trajtoi që nga dita e parë ma bëri gjithçka më të lehtë,” kujton Messi. “Do t’i jem gjithmonë mirënjohës, ai mban një vend të veçantë në zemrën time”, shton fituesi i tetë Topave të Artë.


Periudha e vështirë dhe arrestimi në Paraguai

Ronaldinho flet gjithashtu për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, kur në vitin 2020 u ndalua në Paraguai për përdorim të dokumenteve të falsifikuara.

Ai përshkruan përvojën në mënyrë të pazakontë, duke thënë: “Dhe fitova atje”, duke iu referuar mënyrës se si e përballoi situatën.

Sipas rrëfimeve në dokumentar, ai u përpoq ta kalonte kohën duke luajtur futboll me të burgosurit e tjerë, gjë që e ndihmoi të përballonte situatën e rëndë.

Ngjarja fillimisht nisi me përdorimin e një pasaporte të pavlefshme, por më pas u shoqërua me akuza më serioze dhe një proces ligjor që përfshiu edhe vëllain e tij, Roberto Assis.

Më vonë, ai u lirua me kusht dhe u detyrua të paguajë garanci dhe shpenzime gjyqësore, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.

Dita më e vështirë e jetës së tij

Në dokumentar, Ronaldinho ndalet edhe te momentet më personale dhe emocionale të jetës së tij, duke përmendur humbjen e nënës së tij si ditën më të dhimbshme që ka përjetuar.

“Ajo ishte dita kur humba nënën time,” thotë ai. “Është e vështirë kur ajo nuk është më,” shton ish-ylli brazilian, duke kujtuar rolin e saj si mbështetësja më e madhe e karrierës së tij.

Dokumentari përfshin gjithashtu intervista dhe dëshmi nga shumë emra të mëdhenj të futbollit botëror, përfshirë Ronaldo Nazário, Neymar, Roberto Carlos, Carles Puyol, Luiz Felipe Scolari dhe Gilberto Silva.

Këto dëshmi pritet të japin një panoramë të plotë të ndikimit të Ronaldinhos në futbollin botëror dhe trashëgimisë së tij si një nga lojtarët më të veçantë në histori. /Telegrafi/

telegrafi sport app