Kjo është historia e Lando Norris – një histori që dikur shihej me skepticizëm, por sot lexohet si kapitulli i ri i një kampioni të madh.

Kur Lando Norris (Bristol, 1999) u shfaq në programin e të rinjve të McLaren në vitin 2018, njerëzit flisnin për të si “djali i një multimilioneri”. Babai i tij, Adam Norris, u pasurua duke ndërtuar kompaninë Horatio Investments, të cilën e shiti për 220 milionë funte. Në vitin 2023, pasuria e tij arriti 200 milionë funte, duke e renditur mes më të pasurve në Mbretërinë e Bashkuar.


Shumë e përdorën këtë fakt si kritikë, sikur pasuria e familjes ishte arsyeja pse Lando u ngjit drejt Formula 1. E vërteta është se paratë mund të hapin dyer… por talenti është ai që të mban brenda.

Dhe Norris e tregoi talentin shumë herët: kampion Evrope në karting (2013), kampion bote (2014), fitues i F4 britanike (2016) dhe kampion i FIA F3 Europiane në 2017.

Për disa shkallë të para në karrierë, financat ndihmojnë, por paratë nuk të bëjnë kampion – dhe këtë e ka provuar edhe Lance Stroll. Lando vetë e ka thënë me shaka: “Babai i Stroll është më i pasur se im’”.

Në F2, aty ku talenti dhe presioni vihen në peshore, Norris shkëlqeu dhe humbi titullin vetëm në luftën e fundit kundër George Russell, në një nga sezonet më të forta që mbahet mend.

Fillimet te McLaren dhe ‘kafet për Alonson’

Në vitin 2018, McLaren e solli si pilot rezervë pranë Fernando Alonsos dhe Stoffel Vandoorne. Ishte vetëm 18 vjeç, i turpshëm dhe i ndrojtur, sa duhej lutur që të dilte në fotografi zyrtare. Shpesh shihej duke i çuar një kafe Alonsos para seancave – jo si shërbim, por si gjest respekti ndaj idhullit të tij.

Lando mësonte çdo detaj nga Alonso: qëndrimin, raportimet teknike, komunikimin me inxhinierët. Zak Brown, i cili më vonë do të bëhej arkitekti i rilindjes së McLarenit, ishte menaxheri personal i Norris që në atë kohë.

- YouTube www.youtube.com

“Bromanca” me Carlos Sainz dhe ngritja e McLaren

Kur Alonso u largua dhe më 2019, Norris u bashkua me Carlos Sainz si pilot zyrtar, dyshja krijoi menjëherë një miqësi të fortë. Ditët e simulimit u kthyen në legjenda, plot gara virtuale, humor dhe rivalitet miqësor.

Në pistë, Sainz ishte më i fortë në dy vitet e para (2019 dhe 2020), por Norris tregonte atë shpejtësinë e pastër në një xhiro – një cilësi që e kanë vetëm pilotët e lindur. Sainz mori podin e tij të parë në vitin 2019, ndërsa Norris duhej të priste 2020, në një Red Bull Ring të zbrazur nga pandemia, për të festuar trofeun e parë.

Më pas, Ferrari e mori Sainz, ndërsa Norris vendosi të qëndrojë. Dhe aty filloi ngritja e tij. Fitore në Miami, rritje e McLarenit nën drejtimin e Stellas dhe një makinë që sezonin 2024-2025 u kthye në makinerinë më të mirë.

Dyshimet, krizat dhe kthesa e madhe

Norris ka treguar shpesh se periudha 2019–2020 e dëmtoi emocionalisht: “Nuk e dija si të përballesha me presionin. E mbaja gjithçka brenda dhe humba vetëbesimin. Pyesja veten nëse isha i mirë mjaftueshëm për F1”.

Por pikërisht nga ato dy vite ai doli më i fortë. Dhe këtë sezon, me shtatë fitore, dominim në disa gara dhe rikthim të jashtëzakonshëm pas një periudhe të vështirë, Lando Norris u bë kampion bote i F1.

Një kampion që vazhdon të qeshë, që nuk bie në provokime, që luftoi me Verstappenin me dinjitet – siç pak të tjerë kanë arritur – dhe që sot hyn në historinë e britanikëve të mëdhenj të këtij sporti.

Ky është Lando Norris: nga “djali i pasur me një vend në zonën e ekipeve”… te “piloti që fitoi botën me talent, punë dhe buzëqeshje”. /Telegrafi/

telegrafi sport app