Gjatë ditëve të fundit në vend janë raportuar disa raste të vjedhjeve përfshirë dhe rastin e sotëm, ku një vjedhje e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:30 në një lokal në rrugën “UÇK” në Prishtinë.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.


Sipas tij, sektori i Hetimeve të Kryeqytetit në koordinim të plotë me Prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar

“Sot rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një rast Vjedhje e rëndë, që ka ndodhur në një lokal në rrugën UÇK në Prishtinë. Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit në koordinim të plotë me Prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar”, ka thënë Pllana.

Po ashtu gjatë kësaj jave në Prishtinë është raportuar për një rast të vjedhjes së rëndë në një argjendari në rrugën "Agim Ramadani" në kryeqytet.

Ndërsa, në raportin 24 orësh të Policisë së është bërë e ditur një grabitje e cila ka ndodhur më 21.01.2026 në fshatin Kraishtë të Lipjanit, ku dy persona të panjohur të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur arkën me para kesh nga një market, dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Fsh. Kraishtë, Lipjan / 21.01.2026 – 19:25. Është raportuar se dy persona të panjohur të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur arkën me para kesh nga një market, dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet në raport.

Ndërkaq një rast tjetër ka ndodhur mes data 19-20.01.2026 në rrugën “Hasan Prishtina”, në Obiliq ku janë arrestuar katër të dyshuar kosovarë, për shkak të dyshimit se me përdorim force kanë depërtuar në dy lokale dhe kanë kryer vjedhje

“Rr. Hasan Prishtina, Obiliq / 19-20.01.2026 – 03:16-04:20. Janë arrestuar katër të dyshuar kosovarë, për shkak të dyshimit se me përdorim force kanë depërtuar në dy lokale dhe kanë kryer vjedhje. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Edhe një rast raportohet të ketë ndodhur muajin nëntor të vitit 2025 në Prishtinë, ku pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Rr. Halil Alidemaj, Prishtinë / 10.11.2025 – 20:00-20:40. Me datën 21.01.2026 pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”. /Telegrafi/