Nga: Nonda Bulka (qershor, 1932)

Diplomatët e shteteve të mëdha, kur e shohin punën pisk, bëjnë udhëtime ... ose mbajnë fjalime; pse jo? As fjalimi, as udhëtimi s'kushtojnë gjë. Një kroko me vezë e qumësht mjafton për të bërë një fjalim të tingëllueshëm. Udhëtimi paguhet prej të tjerëve. Udhëtimet diplomatike s'janë ndonjë shpikje e re.


Më 1914, kur zjarri që do të përvëlonte më vonë botën ishte akoma shkëndijë, Puankareja[1] udhëtonte në Rusi “me letrën e mbretit të Anglisë në xhep”; kur u kthye diplomati plak, shkëndija u bë flakë dhe skuqi fushën e gjelbëruar. Kaizeri gjeti rast për të bërë “yrysh”; por të shkuara të harruara. Në ditët tona udhëtimet diplomatike vazhdojnë. 1931-1932-1933.

Huveri[2] fton Lavalin[3] për rregullimin e borxheve dhe stabilizimin e paqes: Lavali niset e vete ... dhe vjen siç vajti. As borxhet u rregulluan, as paqja u stabilizua. Grandi[4] pas Lavalit, viziton botën e re; u kthye me xhepat plot me premtime “Janki”.

Më vonë Briandi[5] me Lavalin vanë në Berlin. Armiqësia franko-gjermane duhej të merrte fund. Por, atje ku shpresonin të piqeshin me hijen pak a shumë pacifike të Stresmanit[6], takuan siluetën luftëtare të Hitlerit. Briandi buzëqesh me ironi. Lavali var buzët me inat. Dhe, mbasi hëngrën drekë dhe dëgjuan fjalime të zjarrta rreth miqësisë të të dy shteteve, u kthyen duke shtuar në aktivin e politikës frënge një “zero me xhufkë”.

Dhe Bryningu[7] vjen në Paris. Kërkon borxh që të paguajë borxhet; vete në kishë, falet si katolik i mbaruar që është; mban fjalime, dëgjon fjalime ... dhe kthehet i entuziazmuar nga premtimet. Rezultati: një vërë në ujë, për hesap të aktivit gjerman. Se, premtimet janë si ato “bekimet apostolike” që Papa i dërgoi dikur Kastriotit.

Venizelloja[8] është dhe ai diplomat; përse të mos bëjë dhe ky si shokët udhëtime? Niset “dinaku gjiritli”, siç thonë francezët, troket portë më portë, qan hallet me urtësi, kërkon borxh ...

Kam frikë se mos ndonjëherë, udhëtimi diplomatik i shembëllen atij të Puankaresë që bëri më 1914. Atëherë djalli që na mori se, siç thotë populli: “do të lozë qeni i kallanxhiut”.

__________

[1] Raymond Poincaré, kryeministër i Francës në vitet 1912, 1922-1924, 1926-1929

[2] Herbert Hoover, president i ShBA-së në vitet 1929-1933.

[3] Pierre Laval, kryeministër i Francës në vitet 1931-1935.

[4] Dino Grandi, ministër i Punëve të Jashtme i Italisë në atë kohë.

[5] Aristide Briand, ministër i Jashtëm i Francës në atë kohë.

[6] Gustav Stresemann, ministër i Punëve të Jashtme i Gjermanisë në vitet 1923-1929.

[7] Heinrich Brüning, kancelar gjerman në vitet 1930-1932.

[8] Eleuthérios Venizélos, kryeministër i Greqisë në vitet 1910-1915, 1917-1920, 1928-1932 dhe 1933-1935.