LAJMI I FUNDIT:

Dialogu me doganën i rëndësishëm për lehtësimin e operacioneve biznesore

Dialogu me doganën i rëndësishëm për lehtësimin e operacioneve biznesore

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë sot ka organizuar një tryezë diskutimi me drejtorin e ri të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ku u bisedua për dialogun me doganën i cili është i rëndësishëm për lehtësimin e operacioneve biznesore.

Sipas një njoftimi për media, Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm në Doganën e Kosovës, tha se synimi i doganës është krijimi i kushteve për trajtimin e barabartë për të gjitha bizneset dhe lehtësimi i procedurave doganore përmes avancimeve teknologjike, respektivisht automatizimit të proceseve, që ofrojnë komunikim dhe qasje më të lehtë për bizneset në proceset e zhvilluara nga Dogana.

Ai tutje theksoi se ndihmë kryesore do t’u ofrojnë sektorit tregtar, prodhues dhe eksportit në vendin tonë.


Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se dogana është njëra ndër institucionet më me ndikim në punën e shumë ndërmarrjeve në vend, prandaj fuqizimi i dialogut me këtë institucion është interes i vazhdueshëm i sektorit privat dhe i përfaqësuesve të tyre.

Edhe Avni Krasniqi, kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganës në Odën Amerikane, tha se falë bashkëpunimit të ngushtë dhe dialogut të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës, është bërë e mundur të të lehtësohen në vazhdimësi procedurat e zhdoganimit të mallrave dhe procedurat e tjera që lidhen me Doganën, duke theksuar se ky institucion është shembull në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, përfaqësuesit e ndërmarrjeve të pranishme në takim ngritën shqetësime të ndryshme që lidhen me rolin e doganës si çështja e rivlerësimit dhe klasifikimit të mallrave, trajtimin e importeve paralele dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale, por edhe luftimin e ekonomisë joformale dhe kontrabandës. /Telegrafi/