Site icon Telegrafi

Deputeti i Vetëvendosjes nuk i kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit 50 mijë eurot që ia vodhën në shtëpi

Foto ilustruese

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka raportuar të premten në Polici se në banesë i janë vjedhur 50 mijë euro.

Këtë shumë parash deputeti Shkreta nuk e ka deklaruar në formularin e deklarimi të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Drejtori i kësaj Agjencie, Yll Buleshkaj, tha se nëse vërtetohet që të hollat janë mbajtur “cash” nga viti i kaluar dhe nuk janë raportuar mund të konsiderohet shkelje.

Ndërsa konfirmoi se deputeti Shkreta nuk i ka të deklaruara këto mjete.

“Raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti e mbulon periudhën kohore 1 janar-31 dhjetor 2021, ndërsa ngjarja që ju keni përmendur ka ndodhur në fund të qershorit 2022, rrjedhimisht krahasimi mund të mos jetë i drejtë. Raportimi për pasurinë, të hyrat, dhe të tjera, bëhet në vitin 2023. Në rast që mund të vërtetohet që të hollat janë mbajtur ‘cash’ nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje”, tha ai për Kallxo.

Në orët e para të së premtes, më 24 qershor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka kuptuar se dikush ka hyrë dhe ka vjedhur në banesën e tij në Prishtinë dhe për këtë ka njoftuar Policinë.

Lexo po ashtu Iu vodhën 50 mijë euro - reagon deputeti i LVV-së: Tendenca që ky rast të lidhet me postin tim, është e padrejtë dhe qëllimkeqe

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Njëri nga eprorët e lartë të hetimeve brenda Policisë së Kosovës e ka konfirmuar se janë duke e hetuar rastin për vjedhjen e 50 mijë eurove në banesën e deputetit.

“Rasti është hapur, është trajtuar prej njësiteve kompetente. Të gjitha masat e mundshme janë ndërmarrë. Hetimet janë duke u zhvilluar”, ka thënë njëri nga eprorët e hetimeve në Polici.

Lexo po ashtu Deputetit të LVV-së i vidhen 50 mijë euro, tregon si e raportoi rastin në polici

Tutje eprori ka thënë se në bazë të deklaratës së Shkretës në Polici, bëhet fjalë për 50 mijë euro të vjedhura.

“Po, në bazë të deklaratës së tij janë 50 mijë euro”, ka thënë ai.

Në vitin 2013, Shkreta ishte dënuar për mos deklarim të pasurisë pranë Agjencisë Antikorrupsion, kur kishte pasë pozitën e asamblistit.

Exit mobile version