Deputeti gjerman braktis takimin me homologët serbë: Nuk ka prova se ne po e armatosemi Kosovën

Takimi i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të parlamentit serb me Thomas Rovekamp, kreun e Komisionit për Mbrojtje në Bundestag, u zhvillua me tensione të forta, dhe një prej temave kryesore ishte Kosova.
Milovan Drecun, kryetar i komisionit serb, tha se “pavarësia e Kosovës” dhe, veçanërisht, “armatosja e Prishtinës” paraqesin kërcënimin më të madh për sigurinë e Serbisë.
Ai pohoi se në mënyrë të “paligjshme po armatoset” Kosova dhe po krijon aleanca ushtarake rajonale, duke iu referuar marrëdhënieve mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, raporton nova.rs.
Në përgjigje, Rovekamp mohoi kategorikisht se Gjermania po merr pjesë në “luftën hibride” ose po furnizon me armë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Deputeti gjerman deklaroi se nuk ka asnjë provë për pretendimet e armatimit të Kosovës, duke shtuar se “nëse keni ndonjë indikacion për pohime të tilla, ju lutem na i dërgoni.”
Ai gjithashtu foli për pjesëmarrjen e trupave gjermane në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, duke theksuar se Berlini dëshiron të japë “kontribut më të madh si partner” në këtë mision.
Rovekamp u shpreh gjithashtu se “jemi të zhgënjyer nga ngecja e procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë” dhe kritikoi “mosrespektimin e marrëveshjeve ekzistuese”, si nga pala e Kosovës, ashtu edhe nga ajo e Serbisë. /Telegrafi/


















































