Analisti i politikave publike nga Atlas Institute, Agron Demi, ka paralajmëruar për një bllokadë serioze institucionale lidhur me organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Përmes një grafike shpjeguese, ai ka theksuar se vendi ndodhet në një situatë paradoksale, ku procesi zgjedhor kërkon buxhet të ri, por Qeveria, sipas opozitës dhe interpretimit të vendimit të Gjykatës Supreme, nuk ka mandat të marrë vendime që krijojnë detyrime financiare.


Demi thekson se për t’u mbajtur zgjedhjet, Qeveria duhet të ndajë buxhet të ri për KQZ-në, por kjo po kontestohet fuqishëm me arsyetimin se ekzekutivi aktual është në mandat të dyfishtë dhe rrjedhimisht i kufizuar në vendimmarrje të tilla.

Kjo situatë, sipas tij, krijon një rreth vicioz: zgjedhjet duhet të mbahen, por procedurat financiare nuk mund të lëvizin.

Sipas Demit, kjo qasje ka sjellë vendin në një zonë paralize:

Zgjedhjet janë të domosdoshme;

KQZ-ja ka nevojë për buxhet të ri;

Qeveria, sipas kundërshtuesve, nuk mund ta ndajë atë buxhet;

Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar dhe jo funksional.

Ai e përshkruan këtë gjendje me termin “Shteti kaps”, duke thënë se vendi rrezikon të mos ketë as zgjedhje, as vendimmarrje, as dalje ligjore nga kriza pa u adresuar çështja e mandatit të Qeverisë.

Demi, ndër të tjera, ka nënvizuar edhe koston financiare të kësaj bllokade, duke sjellë disa shifra konkrete:

8 milionë euro kanë kushtuar zgjedhjet e shkurtit;

1.6 milionë euro kanë marrë paga deputetët prej prillit e deri më sot, “pa bërë asgjë”;

8 milionë euro shtesë duhen për të mbajtur zgjedhjet e dhjetorit.

“Në total, 17.6 milionë euro kanë shkuar për hiç – dhe ky është dëmi minimal, pa llogaritur bllokadën e institucioneve, stagnimin në arenën ndërkombëtare dhe bllokimin e dhjetëra milionave nga fondet e BE-së,” ka shkruar ai./Telegrafi/