Delegacioni i Unionit të Turizmit të Kosovës, në kuadër të pjesëmarrjes në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Shqipëri, me ftesë të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e partneritetit në fushën e turizmit, si dhe për sfidat dhe barrierat ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë në nevojën për koordinim më të mirë institucional ndërmjet dy vendeve. Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e turizmit dhe lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare.


Fatlinda Osmani - Diplomate në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri në takim me kryetarin e UTK-së, Baki Hoti

“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit turistik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ne besojmë se përmes koordinimit më të mirë institucional dhe heqjes së barrierave ekzistuese, mund të krijojmë kushte më të favorshme për zhvillimin e turizmit dhe për promovimin e përbashkët të rajonit tonë si një destinacion.” theksoi kryetari i UTK, Baki Hoti.

Përfaqësuesit e Unionit të Turizmit të Kosovës informuan ambasadorin për aktivitetet dhe arritjet e Unionit, përfshirë prezencën dhe përfaqësimin në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Shqipëri. Në këtë kontekst, ambasadori Durmishi premtoi mbështetje konkrete për promovimin e mëtejmë të bashkëpunimit turistik, duke u angazhuar që të informojë dhe inkurajojë akterët e sektorit të turizmit në Shqipëri që të marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Kosovë.

Fatlinda Osmani - Diplomate në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri dhe Nora Bajrami Menaxhere e Shitjes dhe Marketingut, në takim me kryetarin e UTK-së, Baki Hoti

Po ashtu, ambasadori shprehu gatishmërinë që në një të ardhme të afërt të punohet bashkërisht me Unionin dhe institucionet relevante për forcimin e rolit të Ambasadës si mbështetëse aktive në zhvillimin e turizmit ndërkufitar, me synim krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit institucional dhe ndërtimit të një qasjeje të përbashkët për zhvillimin strategjik të turizmit në rajon.