Deklaratat e Kurtit shqetësojnë Gjykatën Kushtetuese: Vendimet tona bazohen vetëm në Kushtetutë

Gjykata Kushtetuese ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë, duke i cilësuar ato si të pamatura dhe të dëmshme për demokracinë.
Në reagimin e saj, Gjykata thekson se pavarësia dhe paanshmëria e saj nuk janë privilegj i gjyqtarëve, por themel i shtetit të së drejtës dhe parim bazë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në demokracinë e vendit”, thuhet në reagim.
Gjykata ka kujtuar se vendimet e saj bazohen vetëm në Kushtetutë, në praktikën gjyqësore dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sipas saj, çdo tentim për të relativizuar apo paragjykuar vendimet e Gjykatës është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për zhvillimin demokratik të vendit.
Në fund, Gjykata apeloi tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues, pasi vetëm kështu mund të garantohet një shoqëri e drejtë dhe funksionale për të gjithë qytetarët.
Ndryshe, dje Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kritikuar ashpër Gjykatën Kushtetuese për vonesat dhe ndërhyrjet në proceset institucionale dhe qeveritare, duke e quajtur atë “hije politike e opozitës”.
Gjatë mbledhjes së 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Kurti tha se nga katër muaj e gjysmë që kur ka nisur seanca për konstituimin e Kuvendit, tre muaj janë humbur për shkak të zvarritjeve të Gjykatës Kushtetuese./Telegrafi/












































