Pas përfundimit të festivalit “Kënga Magjike 2021”, gjithçka që nuk është thënë dhe shumë prapaskena janë diskutuar sot (e diel) në “Post Kënga Magjike” tek “E Diela Shqiptare”, ku të ftuar ishin të gjithë finalistët.
Fituesi i festivalit, Alban Ramosaj, është shprehur se është akoma në ëndërr dhe është një nga ëndrrat më të bukura që ka përjetuar deri më sot – transmeton tvklan.al.
Ardit Gjebrea: Albani mbaroi festivali dhe në fund po rrinte dhe po më shikonte mua e më thotë, është një ëndërr, do zgjohem nesër në mëngjes nga një ëndërr? Tani që je zgjuar Alban si të duket?
Alban Ramosaj: Ju betohem unë jam akoma në ëndërr dhe besoj pas një jave, dy javësh do zgjohem dhe atëherë do më “click” që po tani e ke arritur. Është ëndrra më e bukur që kam përjetuar deri më sot dhe faleminderit të gjithëve për këtë gjë.
Ardit Gjebrea: Pse çfarë pritshmërish kishe ti, kënga u bë virale, në Tik Tok e gjithandej këndohej kënga jote, kështu që nuk e prisje gjithë këtë sukses?
Alban Ramosaj: Nga lloji i artistit që jam, muzikën dhe zhanrin që unë bëj, jam shumë koshient që unë bëj, nuk është në ujërat kryesore të dëgjuesve dhe e gjithë pritshmëria ime ishte të krijonim diçka që të më rilidhte në një sens pak më lart sesa jam dhe kryesorja ishte që vetëm të kënaqesha dhe të kënaqeshin të gjithë me mua.