LAJMI I FUNDIT:

Definimi i kufirit, peng i idesë së Rakiqit për një Mitrovicë të Madhe

Definimi i kufirit, peng i idesë së Rakiqit për një Mitrovicë të Madhe

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, qëmoti është shprehur i gatshëm ta nënshkruajë memorandumin për definimin e kufirit të Mitrovicës, por homologu i tij nga Veriu, Goran Rakiq, këmbëngul në idenë e tij që t’ia bashkëngjisë komunës veriore disa fshatra shqiptare dhe gjithë rrjedhën e lumit Ibër

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ende është duke e mbajtur peng memorandumin për definimin e kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës, Veriut dhe Jugut, ndonëse afati i fundit për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit për definimin e kufirit ka qenë 14 tetori i vitit 2016, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel për revitalizimin e urës, shkruan  “Zëri”.

Rakiq synon një Mitrovicë të Madhe në pjesën veriore, duke ia bashkangjitur disa fshatra shqiptare dhe gjithë rrjedhën e lumit Ibër.


Bahtiri nuk pajtohet me pretendimet e Rakiqit

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, thotë se nuk pajtohet me pretendimet e Rakiqit që pjesës veriore të Mitrovicës t’i bashkëngjiten fshatrat shqiptare, Suhadolli, Vidimiriqi, Gushavci, por edhe e gjithë rrjedha e lumit Ibër.

Bahtiri insiston që kufijtë administrativë në mes të dy komunave të definohen sipas Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave dhe në pajtim me Pakon e Ahtisaarit.

Ai e ka porositur disa herë Rakiqin që të reflektojë në të mirë të qytetarëve të të dyja pjesëve të Mitrovicës dhe ta nënshkruajë Marrëveshjen për Kufijtë. Ai gjithashtu ia ka bërë të ditur Rakiqit se ka përfituar më shumë territor, se që në të vërtetë ka komuna veriore. Sipas tij, Suhadolli me kadastër i takon Komunës Jugore, por këtë nuk e pranojnë serbët e Suhadollit. Përfaqësuesi i fshatit, Miço Kragoviq, ka thënë se kjo që thotë Bahtiri nuk është zgjidhja.

“Dikush ia ka dhënë vetes të drejtën që ta tërheqë një vijë të shtrembër aty mbi shtëpitë tona, në atë mënyrë që Mitrovicës së Veriut të mos i takojë asnjë shtëpi, as shqiptare e as serbe. Të gjitha shtëpitë sipas Planit të Ahtisaarit janë në jug, në veri mbesin pronat dhe pasuria jonë deri në Korile. Nëse dikush ka për qëllim që nga ky fshat të krijojë mjedis të pastër etnik, që t’i largojë serbët, atëherë atë plan mund ta realizojnë në vepër”, ka thënë Kragoviq, i cili shton se me këtë plan nuk mund të bëhet që shtëpitë e serbëve të jenë me komunën jugore e pronat dhe pasuria e tyre me komunën veriore.

Në anën tjetër, Iniciativa Qytetare e Oliver Ivanoviqit, SDP-ja, ka këmbëngulur se Pakoja e Ahtisaarit nuk mund të zbatohet në pjesën veriore të Kosovës.

“Me Planin e Ahtisaarit është caktuar pa asnjë logjikë që vija ndarëse në mes të komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës të tërhiqet në atë mënyrë që serbët e Suhadollit t’i takojnë komunës jugore. Shteti ynë (Serbia) e ka hedhur poshtë Planin e Ahtisaarit dhe për këtë arsye krejt çfarë del nga ajo Pako për ne nuk mundet dhe nuk guxon të jetë e pranueshme. Për arsye të mospranimit të këtij Plani janë iniciuar edhe bisedimet në Bruksel. SDP-ja përkujton se bisedimet ende janë duke shkuar dhe se për kufirin në mes të dy komunave të Mitrovicës ende duhet të bisedohet. Sipas marrëveshjes që është arritur, paraprakisht duhet të nënshkruhet një memorandum i mirëkuptimit në mes të kryetarit të Komunës Jugore dhe të asaj Veriore, por kjo ende nuk është bërë. Mirëpo, për shkak të deklaratave të shpeshta të Prishtinës se për definimin e kufirit nuk do të bisedohet më dhe se për të është e pranueshme vetëm ajo çfarë shkruan në Pakon e Ahtisaarit është i arsyeshëm shqetësimi i serbëve të Suhadollit”, ka thënë SDP-ja.

Serbët, kundër vendosjes së tabelave me emra të shqiptarëve në Suhodoll

Komuna e Mitrovicës së Jugut pak ditë më përpara ka tentuar t’i vendosë tabelat me emrat e shqiptarëve në rrugët e Suhadollit, por ka hasur në kundërshtim të serbëve.

Serbët e këtij fshati me mbështetjen e zyrtarëve të Komunës Veriore dhe të vetë Rakiqit kanë hequr tabelat, madje, siç ka thënë nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, edhe i kanë përdhosur. Ai ka porositur se rrugët e Suhadollit do të kenë emra shqip, i pëlqeu apo jo Goran Rakiqit.

Është shfaqur edhe lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq, i cili pas vendimit të Gjykatës së Apelit që lënda e tij dhe dënimi me 9 vjet heqje lirie të kthehet në rigjykim, është lënë në arrest shtëpiak. Ivanoviq një ditë para se Mogherini ta vizitonte Mitrovicën kishte deklaruar se ajo “nuk do të ketë çfarë të shohë, sepse shumë rëndësi po i kushtohet një ure”. “Vetëm përqendrimi tek ura rëndon problemin. Këtu të gjithë kanë pritje të mëdha, posaçërisht shqiptarët, të cilëve ura nga pjesa jugore gjithmonë u ka qenë shënjestër. Ura duhet të ndërtohet, ndërsa do të shfrytëzohet varet nëse situata do të jetë e qetë dhe stabile. Në vend që Mogherini ta vizitojë urën dhe punët që janë duke u zhvilluar, ajo do të duhej të shkonte në Suhadoll të shohë se si jetojnë njerëzit aty, që t’u ndihmojë t’i zgjidhin problemet e fshatit, i cili edhe me Planin e Ahtisaarit dhe me zgjedhjet kushtetuese kosovare i takon Mitrovicës së Veriut. Ata njerëz Mitrovica nuk do t’i lërë, por çfarëdo tentimi që të intervenohet në veri nga pjesa jugore e Mitrovicës krijon revoltë dhe ngrit tensione”, ka thënë Ivanoviq.

Në anën tjetër, Zyra e BE-së në Prishtinë e ka bërë të qartë se çështja e definimit të kufirit administrativ në mes të dy komunave të Mitrovicës është përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje Bahtirit dhe Rakiqit që ta nënshkruajnë memorandumin e mirëkuptimit për definimit e kufirit./Zeri./