LAJMI I FUNDIT:

De Rada, Elioti dhe Bajroni

De Rada, Elioti dhe Bajroni

Moikom Zeqo

Kur flitet për Romantizmin, tërë konstelacioni i emrave lëviz, përhapet, por edhe përmbyllet në një pikë, te emri i Bajronit (Lord Byron). Bajroni jo vetëm që është një heroi i Romantizmit, por në shumë kuptime edhe një martir i Romantizmit. Bajroni ka brenda vetes dy shëmbëlltyra: Atë të poetit shpërthyes dhe rebel, prijetar që hap një epokë dhe atë të njeriut konkret, të personazhit historik që ka bëmat dhe kundërthëniet e tmerrshme brenda shpirtit, një jetë nomade, ku titulli i lordit, luksi, aventurat seksuale, krenaria dhe sqima arrijnë të përfundojnë në aktin e fundit të vdekjes së tij të parakohshme në emër të lirisë së popullit grek.

Ky është Bajroni i ravijëzuar në histori, në atë që është historia e artit, por edhe në rrafshin politik dhe shoqëror. Bajroni ka ndikuar te një numër i madh poetësh të popujve të ndryshëm evropianë si një ikonë imituese dhe popullariteti të pashembullt. Edhe për shqiptarët Bajroni është një emër i skalitur i kujtesës, i frymëzimit dhe mirënjohjes.


Në shënimet e tij estetike, Jeronim De Rada përmend edhe Bajronin. Ndryshe nga poetët e tij bashkëkombës të kohës, De Rada është tejet skeptik për Bajronin. Skepticizmi i tij ka një sharm artistik. De Rada shkruan se poema “Korsari” e Bajronit nuk i lë dot mbresa të thella, ai mendon se poetika e Bajronit të kujton vargjet e Lukanit, nipit të filozofit Seneka, të cilin perandori romak Neroni e vrau në moshën 28-vjeçare për shkak të pjesëmarrjes së Lukanit në një komplot politik. Vërejtja e De Radës që lidhet me një paralelizëm midis Bajronit dhe Lukanit të vë në mendime, madje të befason. Ndërkaq nuk duhet harruar se Bajroni në disa pika ka lidhje me De Radën, madje përmend të njëjtët emra vendesh për të cilat ka shkruar edhe De Rada. Në këngën II të Çajld Haroldit, në vargjet 407-415, Bajroni shkruan:

“Nga mati i zymtë shqiptar, Haroldi
Kaloi gjer në kërthizë të Ilirisë,
Për pllajë e male fort të madhërishëm
E vise që Historia s’i kujton
Në Atikën e përmendur rrallë sheh
Lugina kaq të bukura: s’ka Tempia
Stoli q’aty se gjen; Parnas i dashur,
Megjithëse vend klasik i shenjtëruar
S’krahasohet dot me viset që fsheh ky bregdet”

Shiko se ç’bën Bajroni! Vendet me bukuri të shenjtëruar të Greqisë i krahason me bukurinë e bregdetit shqiptar, të luginave dhe të maleve të Shqipërisë. Dhe i ngre më lart, jo vetëm në vlerësim, por edhe në imagjinatë. Bajroni përmend vendin e quajtur Tempe. Që në fillim të “Milosaos”, De Rada flet për pëllumbin e Anakreontit që vjen tek ai pikërisht nga Tempe. Në këtë pikë Bajroni është më kapërcyes, madje tregohet më konkret për shkak të përjetimeve të gjalla të udhëtimit dhe të sinqeritetit të ndjenjave të tij, ku përshkruan Shqipërinë e Jugut. De Rada nuk ka qenë asnjëherë në Tempe. Por, krijimtaria e tij poetike e ka një ftillesë jo aq të toponimit konkret Tempe, se sa të mitologjisë të lartësuar të emrit të Tempes. De Rada me siguri e ka lexuar “Çajld Haroldin”. Por nuk e përmend në shënimet e tij. Përmend poemën e Korsarit, poemë që për shkak të narracionit ekzotik lindor në disa kuptime të kujton vetë poemat historike dhe të përfytyruara të De Radës. Mendja e De Radës mund të grishej nga kjo gjë. De Rada madje mund ta shpallte Bajronin si modelin e tij. por estetikisht De Rada përveç karakterit tregimtar që i krijon një paralele me Bajronin, nga pikëpamja konceptuale nuk është aspak si Bajroni. Këtë ndryshueshmëri e kam vërejtur qysh herët, por nuk e kam artikuluar.

Vetëm kohët e fundit, duke parë një libër “Selected Essays” botim i Haber and Faber Limited, 1932, të shkruar nga Thomas Eliot (1888-1966) përsëri u befasova kur lexova një nga esetë e tij për Bajronin. Elioti, si një nga poetët më të mëdhenj të modernitetit poetik, të shekullit XX, arriti në një kuotë të epërme edhe si një kritik i madh. Ai flet për poezinë e Bajronit me gjakftohtësi, por disa herë pena e tij është si një vegël kirurgjikale. Elioti operon me ide të mirëfillta estetike dhe bën një vlerësim ku bie në sy skepticizmi. Ai flet se poezia e Bajronit e ka një vijë diabolizmi te të gjitha karakteret letrare që ai krijoi, ndonëse ky diabolizëm është i ndryshëm nga ajo që dha agonia romantike në vendet katolike. Elioti mendon se diabolizmi i Bajronit rrjedh nga një kompromizëm komod midis krishterimit dhe paganizmit që në ekspresionin anglisht u arrit në Angli në një formë sinkretizmi, i ardhur nga një fond religjioz i një populli të kredhur në teologjinë kalviniste. Diabolizmi i Bajronit, nëse me të vërtetë e meriton këtë emër, është i një tipi të përzierë. Ai në një masë, e kishte qëndrimin prometeian të Shellit.

Pasioni romantik për liri, dhe ky pasion i inspironte shpërthimet e tij politike, u kombinua me veten e tij si njeri i aksionit për të ardhur dhe përfunduar në aventurën greke. Ndërkaq qëndrimi i tij Prometeian shkrihet në qëndrimin satanik (Miltonian). Koncepti romantik i Satanit të Miltonit është gjysmë prometean, dhe gjithashtu krenarinë e mendon si virtyt. Do të ishte vështirë të thuhet se a ishte Bajroni njeri krenar, apo njeri që dëshironte të paraqitej si njeri krenar – mundësia e këtyre dy mundësive të kombinuara në të njëjtin individ nuk i bën ato më pak të ngjashme në mënyrë abstrakte. Elioti flet gjithashtu për poemën Korsari të Bajronit, të cilën e lidh edhe me vepra të tjera, si: “Gjauri”, “Manfredi”, “Kaini” dhe sidomos “Don Zhuani”, dhe vë re se në kompozicionet e tyre të çuditshme të qëndrimeve dhe të besimeve elementi më real dhe më i thellë reflektohet në formën e një çoroditjeje, i burimësuar nga besimi kalvinist i stërgjyshërve të nënës së Bajronit.

Botëkuptimi religjioz i krishterë i De Radës pikërisht në këtë syth ka qenë shumë i ndjeshëm. Atë që e thotë Elioti ndoshta mund ta ketë menduar edhe vetë De Rada. Nëse heronjtë e Bajronit nuk e përfillin moralin e krishterë shekullor, madje e përdhosin qoftë edhe në emër të një morali të ri, të tjetër lloji, kjo gjë nuk kish se si ta tërhiqte dhe ta entuziazmonte De Radën. por unë guxoj të shtoj diçka tjetër: De Rada nuk e ka pëlqyer Bajronin për një arsye që lidhet me letërsinë e tij. Ata që mund të quhen heronjtë e De Radës, apo personazhet e tij, kanë një strukturë formimi krejt të ndryshëm nga ato të Bajronit. Figurat njerëzore te De Rada janë përherë meditative, gati të përhumbur në të gjitha kuptimet, tejet të ndjeshëm për mjedisin natyror dhe të vëmendshëm ndaj motiveve të historisë së kaluar, por pa emocione të mëdha, pa reagime të bujshme, pa patetikë. Këto figura nuk janë të individualizuara asnjëherë dhe në një farë mënyre nuk kanë jetë autonome. I përkasin një rendi të një ngjashmërie që përbën të tërën, ashtu si kuadrot e një filmi janë të lidhur me njëri-tjetrin për shkak të filmit.

Te De Rada mundon ai që quhet heroizmi i mirëfilltë. Mungon heroizmi spektakolar. Nuk janë heronjtë e apoteozës dhe akteve sotirike. Vdekja duket sikur vjen natyrshëm, pa paralajmërime të mëdha. Vdekja e gati të gjitha figurave të portretizuara më tepër për shkak të emrave dhe të kostumeve, apo dhe të heraldikave vetjake nuk paraqitet me forcën e një tërmeti apo të një gjëme. Ka një qetësi gati neutrale të rolit protagonist të vdekjes në të gjitha organizimet dhe strukturat rrëfimore. Pra, mungon sharmi i sakrificës supreme qoftë edhe për një ideal të madh, siç është liria. Vdekja pra nuk është një thagmë te De Rada. Është diçka e natyrshme siç janë vetë elementet e natyrës: deti, toka, erërat, drurët, lëvizja e kohës, ndryshueshmëria e peizazheve etj.

Pra, të ashtuquajturit heronj të De Radës nuk janë fare gati të ngjashëm me të ashtuquajturit heronj bajronianë. Nëse shikojmë në dy kohë të ndryshme, atë çka mendonte De Rada për Bajronin në shekullin XIX dhe atë çka mendon Elioti në shekullin XX del e qartë se shija estetike e të dy poetëve që nuk e kanë njohur kurrë njëri-tjetrin ka një farë përafërsie të nënkuptuar, por jo të shpjegueshme dot. Nëse Elioti për shkak të arritjeve moderne të poezisë botërore, është më ekzigjent dhe më kriticist ndaj Bajronit, De Radës i mungon kjo përparësi kohore (i mungon pra, shekulli XX), por intuita e tij ka diçka depërtuese dhe deri diku është e lidhur me shijen moderne të poezisë që do të vijë pas vdekjes së vetë De Radës.