eksperti ad

Pas katër ditësh të mbushura me aktivitete artistike, muzikore dhe kreative, Crossroads Fest 2026 është mbyllur me një ceremoni përmbyllëse në ambientet e Sharrcemit në Han të Elezit, duke shënuar një tjetër edicion të suksesshëm të këtij festivali kulturor.

Organizatorët kanë bërë të ditur se festivali ka sjellë pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe artistëve, duke e shndërruar Hanin e Elezit në një pikë të rëndësishme të aktiviteteve kulturore në vend.


Dita e fundit e festivalit iu dedikua veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve, përmes punëtorive kreative që sollën bashkëpunim, imagjinatë dhe shprehje artistike. Një nga momentet kryesore ishte realizimi i një murali artistik, i cili mbetet si vepër publike dhe kujtim i përhershëm i edicionit të sivjetmë.



Në kuadër të programit u prezantua edhe një shfaqje me kukullat e punuara nga vetë fëmijët gjatë punëtorive, duke vënë në pah kreativitetin dhe përfshirjen e tyre aktive në festival.

Mbrëmja përmbyllëse solli një program të pasur artistik, ku vizitorët patën mundësinë të shohin ekspozitën fotografike “Wild Kosova”, e cila prezantoi bukuritë natyrore të vendit. Po ashtu, instalacionet e dritës, video-arti dhe projekksionet arkitekturore e transformuan hapësirën industriale të Sharrcemit në një galeri të hapur bashkëkohore.

Kulmi i mbrëmjes u shënua me koncertin e Agron Peni Trio, i cili solli një atmosferë të veçantë muzikore dhe emocionale për publikun e pranishëm.

Sipas organizatorëve nga OJQ “Dua”, festivali është karakterizuar nga një organizim i suksesshëm dhe një program i larmishëm, duke lënë pas kujtime të paharrueshme dhe pritshmëri për edicionet e ardhshme të Crossroads Fest. /Telegrafi/