Çka mendon Gërvalla për Rexhep Selimin – mohon të ketë bashkëpunuar me Gjykatën Speciale

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pyetur lidhur me deklarimet e saj për deputetin Rexhep Selimi dhe qëndrimet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka thënë se ka ndjekur dokumentarin “Shtabi i Milionerëve”, ku është përmendur edhe Selimi, ndërsa u përball me komentin e gazetarit Vehbi Kajtazi se kishte shkrime për UÇK-në që nga viti 2001.
Gërvalla theksoi se si e bija e një viktime të atentateve politike, nuk do të ndalet kurrë së kërkuari drejtësi.
“Unë do të angazhohem gjithë jetën për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës”, deklaroi ajo.
Duke folur për Gjykatën Speciale, Gërvalla mohoi të ketë dorëzuar ndonjë dokument apo të ketë qenë ndonjëherë në kontakt me hetues të EULEX-it ose me zyrtarë të saj.
“Pavarësisht, nuk kam asnjë kontakt me asnjë hetues të EULEX, me asnjë zyrtar të Gjykatës Speciale. Unë kam bërë me besnikëri atë që më është besuar: e kam marrë dokumentin dhe e kam dërguar jashtë Kosovës. Nuk më ka kontaktuar askush, aq më tepër që atë dokument e ka pasur edhe EULEX”, tha Gërvalla në një intervistë për T7.

















































