Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri i është përgjigjur kolegut nga LVV, Mefail Bajqinovci pasi që ky i fundit e ftoi publikisht për koalicion.

“Lutfi Haziri paska deklaruar se ‘nuk kam votë për shpërndarjen e Kuvendit’. Ani bre Lutë, hajde në koalicion atëherë! Dy herë ju kemi ftuar zyrtarisht. E s’erdhët. S’jeni as për zgjedhje, as për bashkëqeverisje – për çka jeni Lutë???”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.


E deputeti Haziri tha se cinizmi dhe ironia e ka bërë më neverike ardhjen në seanca të Kuvendit çdo 48 orë.

“S’ka të bëjë me ftesa të tilla, cinizmi dhe ironia e kanë bërë më neverike ardhjen tonë cdo 48 orë. Cinizmi ka rëndu jetën publike, ti kthehemi normalitetit. Ata që e shtinë opsion shpërbërjen e Kuvendit dhe dënimin e deputetëve, shtyjnë në funksion shantazhin politik”, tha Haziri.

Haziri shtoi se marrëveshja politike bëhet me mirëbesim, vendoset një rrugë që fryma Kushtetuese e kërkon

“Në Kosovë nuk ka fitues të mëdhenj, ka fitues të parë që të ulet e të punoj me njerëz dhe parti politike që të gjej rrugë. Shpërndarja e Kuvendit ndodh kur dështon të zgjedh Qeverinë. Nuk mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe deputet edhe ministër, edhe me bomba edhe pa bomba, nuk funksionon kjo situatë”, tha Haziri.

Ai tutje shtoi se alarmet për bomba janë mendësi e atyre që Kosova i njeh shumë mirë.

“Krimi nuk ka enti, dhe ata që janë bashkërendua dhe bashkërendohen për interes politike me rrënua Kosovën, janë pa etni”, u shpreh Haziri. /Telegrafi/