Chiesa synon largimin nga Liverpooli në janar – zbulohet klubi favorit për shërbimet e tij

Ylli i Liverpoolit, Federico Chiesa raportohet se po synon që të sigurojë largimin nga ‘Anfield’ gjatë muajit të ardhshëm. Në atë që ishte një afat kalimtar veror tejet i qetë për Liverpooli, Chiesa ishte blerja e vetme pasi ai u pajtua të largohej nga Juventusi për të veshur fanellën e tyre. ‘Të Kuqtë’ gjithashtu siguruan edhe shërbimet e portierit të Valencias, Giorgi Mamardashvili, por ai nuk do të bëhet pjesë e tyre deri në verë. Pasi iu bashkua gjatë verës, Chiesa ka hasur në vështirësi që të paraqitet për klubin e tij të ri për shkak se i mungonte forma fizike dhe kishte lëndime të vazhdueshme. 27-vjeçari ka vetëm një paraqitje si titullar për Liverpoolin, e cila erdhi në fitoren me rezultat 5-1 ndaj West Hamit në shtator, aty ku italiani pati një asistim.

Me afatin kalimtar të janarit në horizont, është raportuar se ish-lojtari i Juventusit mund të kërkojë largimin nga Anglia në përpjekje për të luajtur më shumë. Siç ka raportuar Foot Mercato, Chiesa është i joshur nga mundësia e rikthimit në Itali, atje ku Napoli i Antonio Contes po cilësohet si favorit për të siguruar shërbimet e tij.
Përveç Napolit, është sugjeruar gjithashtu se edhe Interi dhe Fiorentina do të ishin të interesuar për nënshkrimin e tij. Këtë kërkesë thuhet se ia ka bërë personalisht përzgjedhësi i Italisë, Luciano Spalletti, i cili i ka kërkuar Chiesas të rikthehet përkohësisht në Serie A, nëse dëshiron që në të ardhmen të marrë ftesën nga kombëtarja./Telegrafi/










































