Gjuha e trupit të presidentit amerikan, Donald Trump tregonte se ishte ‘i zhgënjyer’ pas bisedimeve me homologun rus, Vladimir Putinin.

Psikologu dhe eksperti i gjuhës së trupit, britaniku Peter Collett ka dhënë vlerësimet mbi samitin Trump-Putin.


“Kur krahason takimin në pistën e aeroportit me atë që ndodhi në konferencën për shtyp, duket sikur janë dy botë krejtësisht të ndryshme, të paktën sa i përket gjuhës së trupit”, tha ai, raporton skynews.

Collett vuri në dukje se kur Donald Trump dhe Vladimir Putin u takuan në pistën e aeroportit pas uljes në Alaskë, të dy po e përkëdhelnin njëri-tjetrin në shpatulla, gjeste që zakonisht tregojnë “statuset e tyre”.

Fillimi i takimit ishte më shumë rreth “miqësisë, harmonisë dhe afrimit mes tyre - pothuajse sikur shqetësimi kryesor i Trumpit ishte ta mbante afërt Putinin”.

“Ata krijuan përmes gjuhës së trupit një ndjesi të qartë se ishin dy miq të vjetër që ishin jashtëzakonisht të lumtur që u panë sërish”, tha Collett, gjë që “është në kontrast me atë që ndodh zakonisht kur Trump takohet me liderë të tjerë shtetesh”.

Por, në kohën kur u mbajt konferenca për shtyp pas bisedimeve thelbësore me Putinin, gjuha e trupit të presidentit amerikan kishte ndryshuar ndjeshëm.

“Mendoj se pati shumë ‘rrjedhje’, shumë shenja të vogla në gjuhën e trupit, që sugjeronin se nuk ishte i lumtur”, tha Collett.

Ai theksoi faktin se Trump nuk i kushtoi shumë vëmendje Putinit teksa ai fliste dhe shtoi se “ai në fakt nuk donte të shikonte Putinin, sepse Putini i kujtonte atij dështimin për të arritur një marrëveshje në ato kushte”.

Shtrëngimi i buzëve ishte “një gjest përmbajtjeje”, që tregonte se po mendonte diçka që nuk guxonte ta thoshte.

Trump dukej si një njeri “i zhgënjyer”, por që “po bënte një punë mjaft të mirë për të bindur veten – dhe ne – se ka shpresë për të ardhmen dhe gjëra të mira që do të vijnë”.

Ai shtoi se "nëse lexon gjuhën e trupit... mund të shohësh se ka diçka tjetër që po ndodh në mendjen e tij, ndoshta diçka që, në këtë fazë, nuk është pranuar ende, dhe ajo është: 'dreq, kjo sigurisht që nuk shkoi siç shpresoja'. /Telegrafi/