LAJMI I FUNDIT:

Çfarë është një reumatolog?

Çfarë është një reumatolog?
Dr. Besim Demolli, reumatolog

Një reumatolog është një internist ose pediatër, i cili ka marrë shkollime/trajnime të mëtutjeshme në diagnostikimin (zbulimin) dhe trajtimin e sëmundjeve muskulo-skeletore si dhe sëmundjeve sistemike autoimune që zakonisht quhen sëmundje reumatike 

Dr. Besim Demolli
Specialist i reumatologjisë
Tel. 044727068

Reumatologët kanë një bazë të fortë nga lëmi i mjekësisë interne të cilët edhe i përgatit si specialistë për të menaxhuar dhimbjen e lokalizuar dhe sistemike (të përgjithësuar).


Sëmundjet reumatike shfaqen me një gamë të gjerë të manifestimeve klinike e që caku i tyre janë nyjet, muskujt dhe kockat të cilat edhe shfaqin simptomat klinike si: ënjtje të nyjeve, shtangime të nyjeve dhe deformime. Patjetër se duhet cekur se meqë ato janë sëmundje sistemike mund të atakojnë të gjitha organet ndërtuese të organizmit si p.sh., sytë, zemrën, veshkët, mushkëritë, lëkurën, enët e gjakut, sistemin nervor, gjëndrat ekzokrine etj.

Reumatologët trajtojnë sëmundjen e nyjeve, por nuk kryejnë operacione.

Cilat janë sëmundjet të cilat trajtojnë reumatologët?

Sëmundjet reumatike janë sëmundje inflamatore autoimmune. Llogariten se janë më tepër se 200 sëmundje që mund të trajtohen nga një reumatolog.

Disa sëmundje që trajtojnë reumatologët përfshijnë:

▪ Artritet në përgjithësi artritin rheumatoid, artritin reaktiv,artritin psoriatik, artritin enteropatik)
▪ Dermatomiozitin
▪ Gihtin/Pseudogihtin
▪ Lupusin eritematoz
▪ Sëmundjen Lyme
▪ Sëmundjet e përziera të indit lidhor
▪ Sëmundet e padiferencuara të indit lidhor
▪ Polikondritin
▪ Polimiozitin
▪ Polimialgjinë reumatike
▪ Sarkoidozën (nëse ajo ka përhapje sistemike)
▪ Syndromën Sjögren
▪ Sklerodermën
▪ Syndromën Raynaud
▪ Vaskulitet në përgjithësi ( vaskulitet e enëve të gjakut me kalibër/lumen të madh, të mesëm, të vogël si dhe ato me imunokomplekse)
▪ Sindromën antifosfolipidike

Meqë në kuadër të sëmundjeve reumatike llogariten edhe sëmundjet e indeve të buta, patjetër se reumatologët trajtojnë shumë prej tyre, duke përfshirë:

▪ Fibromialgjinë
▪ Dhembjet e lokalizuara në tërë shtyllën kurrizore qofshin ato si pasoje e sëmundjeve degjenerative apo inflamatore
▪ Epikondilitet
▪ Bursitet
▪ Tendititet
▪ Kapsulitet adhesive

Një reumatolog mund të trajtojë gjithashtu sëmundjet që prekin kockat, duke përfshirë:

▪ Osteoporozën
▪ Osteomalacionin
▪ Osteodistrofinë renale
▪ Rakitin
▪ Achondroplazinë
▪ Syndromën Ehlers-Danlos
▪ Syndromën Marfan

Ç’farë strategji përdorin reumatologët në trajtimin e sëmundjeve reumatike?

Strategjitë që do të përdoren nga një reumatolog për të menaxhuar pacientët dhe sëmundjet e tyre mund të shkojnë nga trajtimet medikamentoze, rekomandime për trajtim me terapia fizikale dhe rehabilituese, madje edhe në rastet më të rënda referimi për konsultë ortopedike nëse pacientët janë kandidat për ndërhyrje operative. Trajtimet medikamentoze variojnë nga barnat anti-inflamatore deri te opiumet.

Përparimet e fundit në imunologjinë dhe gjenealogjinë e sëmundjeve reumatike e kanë bërë reumatologjinë një fushë mjaft interesante dhe në rritje të ndjeshme të studimeve. Reumatologët aktualisht po hulumtojnë lidhjen midis imunologjisë dhe ç’rregullimeve autoimune.

Substancat biologjike që tani aplikohen me të madhe të të gjitha qendrat reumatologjike nëpër botë të cilat po aplikohen në trajtimin e sëmundjeve kronike të indit lidhor dhe në sëmundjet e rënda të sistemit lokomotor. Studimi i këtyre agjentëve dhe përmirësimi i rezultateve në mesin e pacientëve me këto sëmundje bien nën ombrellën e reumatologjisë.

Shumë reumatologë gjithashtu kryejnë hulumtime për të gjetur një shkak dhe trajtim më të mirë të një sëmundje reumatike.

Ku punojnë reumatologët?

Reumatologët punojnë në kuadër të shërbimit shëndetësor publik dhe privat. Ata kryesisht punojnë në klinikat ambulatore. Ofruesit e kujdesit parësor ose mjekët e tjerë mund t’ju udhëzojnë te një reumatolog për një vlerësim. Disa reumatologë nuk kërkojnë një rekomandim nga një mjek tjetër për të bërë vizitën specialistike tek ata.

Reumatologët zakonisht punojnë edhe në një spital dhe se atyre iu kërkohet të vlerësojnë pacientët që janë shtruar në spital për një sëmundje reumatike.

Kur duhet të konsultoheni me një reumatolog?

Të gjithë njerëzit përjetojnë dhimbje të muskujve dhe nyjeve herë pas here. Kur dhimbja e muskujve dhe nyjeve nuk po zgjidhet siç do të prisje, mund të jetë i nevojshëm vlerësimi shtesë. Në mënyrë tipike, mjeku i kujdesit parësor konsultohet për vlerësimin e parë. Nëse dyshohet për një sëmundje reumatike, ai/ajo do t’ju referojë në tek reumatologu për vlerësim.

Referimi i mëparshëm duhet të bëhet nëse keni të afërm me sëmundje autoimune ose reumatike (pasi këto sëmundje kanë bazë trashëguese) ose nëse simptomat janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë një periudhe të shkurtër kohore. Disa nga shenjat dhe simptomat mund të përmirësohen ose të zgjidhen përkohësisht kur trajtohen fillimisht, por mund të kthehen pasi të ndalohet mjekimi.

Nëse simptomat vazhdojnë të kthehen, mund të jetë e nevojshme një vlerësim reumatologjik. Edhe pse trajtimi nuk duhet të vonohet ndërsa ju ende prisni për një vizitë specialistike reumatologjike, duke përdorur medikamente të caktuara dhe se ato mund të përmirësojnë simptomat por do ta bëjnë më të vështirë diagnostikimin.

Dëmtimi i nyjeve mund të ndodhë nëse simptomat e dhimbjes në nyje injorohen ose nuk trajtohen siç duhet gjatë një periudhe kohe të caktuar. Nëse nuk trajtohen me kohë këto dëmtime mund të jenë pakthyeshme. Prandaj, mos vononi një vlerësim të duhur nga ana e reumatologut!

Ç’farë duhet të pres nga vizita ime e parë reumatologjike?

Sëmundjet reumatike nganjëherë janë komplekse në natyrë dhe janë të vështira për t’u diagnostikuar, kështu që reumatologët do të mbledhin një anamnezë/histori të detajuar të gjendjes tuaj mjekësore dhe do të kryejnë një ekzaminim fizik të kujdesshëm për të kërkuar shenja dhe simptoma të inflamacionit në të gjithë trupin dhe sistemin muskulor. Një histori familjare mund të jetë shumë e rëndësishme për diagnostikimin e sëmundjes reumatike dhe gjithashtu do të vlerësohet.

Reumatologu do të rishikojë rezultatet e çdo testimi paraprak që është kryer tek një pacient dhe mund të urdhërojë teste laboratorike shtesë për të vlerësuar inflamacionin dhe/ose prodhimin shtesë të antitrupave brenda qarkullimit të gjakut. Po ashtu, ai mund të urdhërojë ekzaminime shtesë radiografike (rreze X, ultratinguj, CT-skanim ose MRI) për bërë një vlerësim sa më të saktë të anomalive muskulo-skeletore.

Të gjitha këto rezultate do të kombinohen për të përcaktuar burimin e simptomave të një pacienti dhe për të zhvilluar një plan të trajtimit të personalizuar. Rekomandimet e trajtimit mund të përfshijnë medikamentet, referime në terapi fizikale, referim tek specialistë të tjerë ose injeksione në nyje dhe/ose tendine.

Disa sëmundje reumatike mund të jenë të vështira për t’u diagnostikuar dhe mund të kërkojnë disa vizita me reumatologun për të kuptuar plotësisht procesin themelor. Pra, meqë shumë sëmundje reumatike ndryshojnë ose evoluojnë, ju duhet të bëni më shumë se një vizitë tek reumatologu juaj deri sa të arrijë një diagnozë përfundimtare.

Ç’farë duhet të sjell në vizitën time të parë reumatologjike?

Ju lutemi sillni të gjitha rezultatet e testeve laboratorike dhe/ose radiografike të mëparshme me rreze X/ ultratinguj/MRI (të dhënat mjekësore zakonisht dërgohen nga mjeku referues, por herë pas here – përkundër qëllimeve më të mira – nuk janë të pranishme.

Ndonjëherë testet duhet të përsëriten për të konfirmuar diagnozën. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Sheqeri dhe aknet

Sheqeri dhe aknet

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori