Çfarë duhet të dini për gjyqin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së? - flasin nga Gjykata Speciale

Se si do të duket fillimi i gjyqit, sa mund të zgjasë paraqitja e provave dhe sa mund të zgjasë gjithë procesi i gjykimit, tregon zëdhënësi i Gjykatës Speciale në Hagë, Michael Doyle.
Gjyqi do të nisë me deklaratat e prokurorëve që kanë mbledhur prova.
“Pasi prokurori special ta bëjë deklaratën hyrëse, atëherë avokatit të viktimave i është caktuar një maksimum prej 45 minutash për të folur në emër të viktimave në këtë rast. Janë 140 viktima që marrin pjesë, të përfaqësuara përmes këtij avokati”, deklaron Doyle për REL.
Në gjykim pritet të marrin pjesë qindra dëshmitarë.
“Prokuroria ka thënë se synon të mbështetet në dëshmitë e 312 dëshmitarëve, edhe pse ky numër mund të ndryshojë me zhvillimin e procedurave”, sqaron Doyle.
Sa mund të zgjasë i gjithë procesi i gjykimit?
“Kjo është shumë vështirë të parashikohet sepse, sigurisht, do të varet nga mënyra se si do të zhvillohen procedurat. Pra realisht, gjithçka që dimë tani, është llogaritja e prokurorisë, rreth dy vjet për paraqitjen e rastit të tyre”, deklaron Doyle.


































