Çfarë do të thotë për të drejtën ndërkombëtare, debati mbi gjenocidin në Gazë

Nga: Faisal Kutty / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur në fillim të këtij muaji, Komisioni Hetimor i Kombeve të Bashkuara doli me përfundimin se lufta e Izraelit në Gazë përbën një gjenocid, ky nuk ishte nuk përfundimi i tillë i vetëm. Amnesty International, Human Rights Watch, B’Tselem, Mjekët për të Drejta e Njeriut - Izrael, Instituti “Lemkin” për Parandalimin e Gjenocidit dhe Shoqata Ndërkombëtare e Studiuesve të Gjenocidit kanë arritur në të njëjtin përfundim.
Ky kor i autoriteteve ligjore dhe morale sinjalizon një krizë më të thellë: nëse sistemi juridik ndërkombëtar i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore - me “kurrë më” në thelb të tij - mund të mbijetojë përballë paralizës që sjellin politikat e fuqisë.
"Gjenocidi" nuk është luks retorik. Është kategori ligjore e përcaktuar në Konventën e Gjenocidit të vitit 1948 si akt “i kryer me qëllimin për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Këto akte përfshijnë vrasje, shkaktim të dëmit serioz fizik ose mendor, dhe imponimin e qëllimshëm të kushteve për të shkatërruar një popullatë.
Komisioni i OKB-së dhe trupat e tjera të ekspertëve kanë përcaktuar se sjellja e Izraelit në Gazë - e cila ka përfshirë vrasje masive, uri të shkaktuar nga rrethimi, shkatërrim të spitaleve dhe retorikë që i përshkruan palestinezët si “kafshë njerëzore” - përputhet me këto kritere.
Dhjetëra-mijëra vetë janë vrarë, pjesa më e madhe e Gazës është në gërmadha dhe gjysma e 2.2 milionë banorëve të saj përballen me uri.
Bashkësia ndërkombëtare nuk ka hezituar të njohë gjenocidin në kontekste të tjera. Masakra e vitit 1994 e 800 mijë tutsive dhe hutuve të moderuar në Ruandë u bë shembulli paradigmatik i ndjekur penalisht nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ruandën dhe e njohur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Në Bosnje, ekzekutimi i 8 000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, në vitin 1995, u shpall gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Autoritetet e Kamboxhias përmes Dhomave të Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias e njohën si gjenocid dhunën e Kmerëve të Kuq kundër pakicave çam dhe vietnameze në fund të viteve ’70 të shekullit XX. Në Darfur, ShBA-ja deklaroi në vitin 2004 se po kryhej gjenocid kundër grupeve joarabe, një gjetje që u mbështet edhe nga komisionet e OKB-së.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara dhe OKB-ja e kanë njohur si gjenocid krizën e rohinxhave në Mianmar, duke cituar vrasjet masive, dhunën seksuale dhe dëbimin e mbi 700 mijë personave. ShBA-ja gjithashtu ka deklaruar se persekutimi i myslimanëve ujgurë nga Kina - i karakterizuar nga internimet masive, sterilizimi i detyruar dhe shkatërrimi kulturor - përbën një gjenocid. Uashingtoni njeh gjithashtu si gjenocid krimet e Shtetit Islamik kundër jazidëve dhe pakicave të tjera në Irak dhe Siri.
Gaza ngjan me këta shembuj të tjerë jo vetëm për nga përmasa, por edhe për nga elementët e qëllimit dhe sjelljes. Më shumë se 65 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 90 për qind e popullsisë është zhvendosur. Zyrtarë të lartë izraelitë kanë folur haptazi për fshirjen e Gazës “nga faqja e dheut”. Gaza shfaq të gjitha shenjat e gjenocidit - vrasje masive, retorikë të qartë, zhvendosje dhe privim.
Nëse Ruanda, Bosnja, Kamboxhia, Darfuri, rohinxhat, ujgurët dhe jazidët kanë përmbushur kriteret për gjenocid, atëherë Gaza padyshim që i përmbush. Ta mohosh këtë nuk është akt i maturisë juridik, por shmangie politike - një akt që rrezikon të boshatisë vetë kategorinë e gjenocidit dhe ta kthejë “kurrë më” në një slogan pa përmbajtje.
Studiuesit kryesorë të gjenocidit dhe Holokaustit kanë ngritur alarmin. Më 31 gusht, Shoqata Ndërkombëtare e Studiuesve të Gjenocidit - organi më i rëndësishëm akademik në këtë fushë -votoi për të pohuar se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë. Amos Goldberg nga Universiteti Hebraik paralajmëroi muaj më parë se Gaza përfaqëson një “pikë kthese” ku Izraeli rrezikon krimin që u krijua për t’u parandaluar. Raz Segal, një studiues i gjenocidit me origjinë izraelite në Universitetin Stokton, deklaroi se Gaza është “rast shembullor i gjenocidit” - që në tetor 2023. Një tjetër studiues i njohur i gjenocidit dhe ish-ushtar i Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF), Omer Bartov nga Universiteti Braun, fillimisht ishte i rezervuar, por pas marrjes së Rafahut nga Izraeli dhe dëbimeve masive ai përfundoi se fushata ishte kthyer në “operacion gjenocidal”. William Schabas, një nga autoritetet më me ndikim në botë për të drejtën penale ndërkombëtare, thekson se qëllimi gjenocidal mund të nxirret nga veprimet dhe politikat dhe jo vetëm nga deklaratat formale.
Këta nuk janë zëra të skajshëm. Ata janë ekspertët kryesorë në fushë, të gjithë hebrenj dhe shumë prej tyre izraelitë, dhe në rastin e Gazës po zbatojnë të njëjtat standarde që kanë zbatuar edhe në raste të tjera.
Akuza ka dalë edhe brenda Izraelit. Në korrik, dy nga grupet më të respektuara për të drejtat e njeriut në vend, B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut - Izrael, thanë se qeveria e tyre po kryen gjenocid. Raporti i B’Tselem-it me titull “Gjenocidi ynë” dokumentoi vrasjet masive, imponim të qëllimshëm të kushteve shkatërruese për jetën dhe prova të qëllimit. Mjekët për të Drejtat e Njeriut dokumentuan shkatërrimin sistematik të sistemit shëndetësor të Gazës - nga spitalet e bombarduara, te evakuimet e bllokuara dhe mjekët e vrarë - duke përfunduar se kjo ishte një politikë e qëllimshme shtetërore.
Amnesty International i quajti këto gjetje “një pikë kthese” për llogaridhënie, duke theksuar se guximi i grupeve izraelite për të thënë të vërtetën, në mes të represionit, duhet të përkthehet në veprim global.
Izraeli dhe aleatët e tij i hedhin poshtë këto gjetje si “antisemitizëm”. Kryeministri Benjamin Netanyahu madje u tall duke thënë se Izraeli mund të kishte kryer gjenocid “brenda një pasditeje” - po të donte. Por, arsyetimi i tillë nuk është mbrojtje; është shmangie. E drejta ndërkombëtare nuk kërkon prova nëse një shtet ka përdorur gjithë kapacitetin e tij shkatërrues. Gjenocidi përcaktohet nga qëllimi dhe sjellja, jo nga fakti nëse një shtet mund të kishte vrarë më shumë. Sipas logjikës së Netanyahut, shumë prej gjenocideve të njohura botërore - nga Bosnja në Ruandë, e deri te rohinxhat dhe ujgurët - nuk do ta kalonin testin. Ajo që ka rëndësi është që Izraeli ka imponuar kushte të menduara për të shkatërruar popullatën e Gazës: uri, zhvendosje masive, shkatërrim i infrastrukturës së kujdesit shëndetësor, të gjitha të shoqëruara me retorikë të zhdukjes.
Pasojat shtrihen përtej Gazës. Nëse rasti më i qartë në dekada i një popullsie që shënjestrohet për shkatërrim - për nga përmasa, retorika dhe privimi i qëllimshëm nga sistemet jetike për mbijetesë - dështojnë të sjellin përgjegjësi, atëherë çfarë mbetet nga funksioni parandalues i së drejtës ndërkombëtare?
Nga Ruanda në Bosnje, bota u pengua, por ato dështime prodhuan gjykata dhe një masë drejtësie. Nëse Gaza përjashtohet sepse Izraeli është aleat i Perëndimit, kjo do të dërgojë një mesazh të qartë dhe të padiskutueshëm: gjenocidi nuk është ndalesë universale, por etiketë e negociueshme.
Ky është testi nëse “kurrë më” ka qenë më shumë sesa një slogan. Gaza nuk ka të bëjë vetëm me palestinezët dhe izraelitët. Ka të bëjë me atë nëse bota ka guximin të zbatojë ligjin e saj më bazik.
Nëse politikës së forcës i lejohet të mbizotërojë mbi Konventën për Gjenocidin, dëmi nuk do të kufizohet në Gazë. Do të boshatisë vetë idenë se ligji mund të kufizojë dhunën - dhe do ta lërë çdo grup të cenueshëm në rrezik kur shteti vendos se shkatërrimi është në interesin e tij.
Kjo do të ishte gjë shkatërrimtare jo vetëm për palestinezët, por edhe për të ardhmen e vetë të drejtës ndërkombëtare. “Kurrë më” ishte menduar si premtim detyrues, jo një slogan që përdoret në mënyrë selektive. Nëse Gaza nuk llogaritet, atëherë asgjë nuk llogaritet - dhe krimi i krimeve kthehet thjesht në një tjetër armë për të fuqishmit që ta justifikojnë, ta injorojnë, ose ta kryejnë pa ndëshkim. /Telegrafi/




















































