Certifikohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, Kolegji Zgjedhor rrëzon padinë e PD

Me shumicë votash, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike, duke vulosur kështu zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
PD e kishte ankimuar vendimin e Komisionit Rregullator që i certifikoi zgjedhjet, duke kërkuar pavlefshmërinë e tyre, por, në mbledhjen e kësaj të enjteje (4 shtator), Kolegji e rrëzoi padinë dhe i konsideroi të rregullta zgjedhjet. Vendimi është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk mund të bëhet ankim.
Partia Demokratike i ka konsideruar zgjedhjet e 11 majit si “farsë” dhe ka akuzuar mazhorancën socialiste për vjedhje e blerje votash.
Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
Në zgjedhjet e 11 majit, PD garoi si pjesë e koalicionit PD-ASHM, duke marrë 50 mandate. Partia Socialiste siguroi 83 mandate deputetësh, 3 mandate mori PSD-ja, 2 mandate mori Partia Mundësia dhe nga një mandat secila morën Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet./RTSH

















































