Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka sqaruar se afati i sotëm për tërheqjen e subjekteve nga gara zgjedhore nuk përbën fundin e mundësive për lëvizje politike apo koalicione të minutës së fundit.

Sipas tij, ligji parasheh edhe mekanizma të tjerë që i japin partive hapësirë manovrimi deri në momentet e fundit të procesit.


Cakolli thekson se nëse një subjekt politik nuk dorëzon listën e kandidatëve deri nesër në mesnatë, atëherë KQZ ka kompetencë t’i tërheqë certifikimin.

Kjo situatë, sipas tij, u mundëson partive riformatime të mundshme — nga marrëveshje të reja politike e bashkim listash, deri te pozicionime të reja strategjike në prag të dorëzimit të listave.

Ai ka kritikuar gjithashtu idenë që shorti për renditjen e subjekteve në fletëvotim të mbahet para mbylljes së afatit për dorëzimin e listave.

Sipas Cakollit, një veprim i tillë do t’i vendoste partitë nën presion të panevojshëm dhe do të ndërhynte në një fazë ku ligjërisht gara është ende e hapur.

Cakolli u bëri thirrje institucioneve zgjedhore të shmangin nxitimin dhe të garantojnë qartësi procedurale, duke i lejuar subjektet politike të shfrytëzojnë plotësisht hapësirat që ua garanton ligji.