Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë dy emërime të rëndësishme në kabinetin ekzekutiv, duke caktuar Avni Fetahun si drejtor të Drejtorisë së Arsimit dhe Lirie Hotin si drejtoreshë të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Avni Fetahu, i cili rikthehet në krye të sektorit të arsimit, ka përfunduar studimet master në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë. Ai ka përvojë të gjatë profesionale si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, si dhe ka mbajtur disa pozita drejtuese në administratën komunale, përfshirë atë të drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik dhe drejtorit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.


Kryetari Bulliqi i uroi Fetahut suksese në ushtrimin e detyrave të tij.



Ndërkohë, Lirie Hoti është emëruar në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Ajo ka përfunduar studimet master në Fakultetin Juridik dhe studimet bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze, si dhe ka përfunduar provimin e Jurisprudencës. Përvoja e saj profesionale përfshin punën si sekretare në The British School of Kosova dhe si asistente në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB.

Gjatë mandatit të kaluar, Hoti ka qenë drejtoreshë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kryetari Bulliqi e ka uruar për detyrën e re dhe i ka dëshiruar punë të mbarë.

Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se emërimet synojnë rritjen e efikasitetit në dy prej sektorëve më të ndjeshëm për qytetarët: arsimin dhe shëndetësinë. /Telegrafi/