Site icon Telegrafi

Brenda Klinikës së Endokrinologjisë, këto janë shërbimet që mund t’i marrin qytetarët

Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku, ka folur për rëndësinë e këtij institucioni në ofrimin e shërbimeve të specializuara për trajtimin e sëmundjeve endokrinologjike në Kosovë.

Klinika, e cila ka filluar aktivitetin e saj si një shërbim i endokrinologjisë që nga viti 1976, u shndërrua në klinikë të plotë në vitin 2012, duke ofruar kushte për trajtimin e diabetit dhe sëmundjeve të metabolizmit.

Drejtoresha në intervistën për Telegrafin, ka treguar për shërbimet që pacientët mund t’i marrin në këtë klinikë.

“Ne ofrojmë kushte shumë të mira për trajtimin e sëmundjeve endokrinologjike të diabetit dhe të metabolizmit për qytetarët e Kosovës. Është kabineti i edukimit diabetik, në të cilin bëhet edukimi rreth ushqimit të shëndetshëm dhe aktivitetit fizik, ndryshimit të stilit të jetës, që është komponenta kryesore e trajtimit të diabetit. Më pas, për këtë shërbim e kemi edhe shërbimin gjysmë intensive, në të cilën trajtohen pacientët me sëmundje akute, të diabetit”, tha ajo.

Tutje, drejtoresha pohoi se këto shërbime kryhen me të gjitha mjetet e nevojshme.

“E kemi gjithashtu edhe aparatin, i cili bën mbatjen e gjendjen e statusit acidopazik, i cili është i domosdoshëm për trajtimin e këtyre komplikimeve akute të diabetit. Tjetër shërbim për diabetin ofrojmë shërbimin për këmbë diabetike në të cilën ofrohen shërbimet jo vetëm tonat, por edhe të konsultave, të cilat i thërrasim shumë kirurgun vaskular ose ortopedin ose mjekë të tjerë, të cilët janë pjesë e ekipit multidisiplinor lidhur me këmbën diabetike”, u shpreh për Telegrafin, drejtoresha Emini – Sadiku.

Drejtoresha Merita Emini Sadiku tregoi se këmba diabetike është një komplikim i diabetit i cili domethënë përfundon me një ulëqerë ose amputim për shkak të mos kontrollit të mirë që ka pacienti për sëmundjen e sheqerit.

Klinika gjithashtu ofron shërbime të specializuara për diagnostikimin e sëmundjeve të gjëndrave tiroide dhe paratiroide, duke përdorur ultrasonografi dhe biopsi për të identifikuar kanceret e mundshme.

Një tjetër shërbim i rëndësishëm është ai për trajtimin e akromegalisë, një sëmundje që ndodh për shkak të një tumori në gjëndrën hipofizë, e cila rrit nivelin e hormonit të rritjes dhe mund të shkaktojë deformime trupore dhe sëmundje metabolike.

Drejtoresha Emini-Sadiku theksoi se për pacientët me akromegali, ekziston një medikament të cilin Ministria e Shëndetësisë e ofron falas, duke i ftuar ata që të mos e blejnë vetë, por të lajmërohen në klinikë për t’u regjistruar dhe për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Klinika e Endokrinologjisë vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme për shëndetin e qytetarëve të Kosovës dhe të tjerëve që jetojnë në vend, duke ofruar shërbime të specializuara dhe një ekip profesional të angazhuar për të siguruar trajtim cilësor për të gjithë pacientët. /Telegrafi/

Exit mobile version