Site icon Telegrafi

Brazili vazhdon formën e dobët, mposhtet nga Uruguai

Kombëtarja e Brazilit ka humbur me rezultat 2-0 në udhëtim te Uruguai në kuadër të kualifikueseve të Amerikës së Jugut për Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Pas barazimit në shtëpi ndaj Venezuelës, Selecao ka pësuar një humbje nga Uruguai në ndeshjen e katërt të grupeve të Amerikës së Jugut.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë, pa raste, por me vendasit që shënuan golin e vetëm.

Ishte ylli i Liverpoolit, Darwin Nunez, i cili shënoi në minutën e 42-të për 1-0 duke dërguar ekipin e tij në pushim me epërsi.

Në pjesën e dytë, vendasit ishin skuadër më e mirë, më kërkuese dhe shënuan edhe një gol tjetër për ta vulosur fitoren.

Kësaj radhe ishte Nicolas de la Cruz, i cili në minutën e 77-të pas asistimit të Nunez shënoi për 2-0.

Pas kësaj fitore, Uruguai e sheh veten në pozitën e dytë me 7 pikë, po aq sa ka Brazili i treti.

Në ndeshjen e radhës, Uruguai udhëton te Argjentina, ndërsa Brazili luan në udhëtim te Kolumbia. /Telegrafi/

Exit mobile version