Banka Qendrore e Kosovës ka mbajtur konferencë për media lidhur me çështjen e vendosjes së tarifës nga kompanitë e sigurimeve.
Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti u shpreh se me këtë vendim kanë shmangur shkeljet ligjore.
“Këtë vendim e kemi marrë për të mbrojtur polisë mbajtësit. Edhe nga sektori bankar edhe nga sektori mikrofinanciar dhe financiar na për qëllim që t’i mbrojmë depozitorët e sektorit bankar ruajta e stabiliteti financiar dhe nga ana e tregut sigurimeve e kemi për detyrë që të mbrojmë polisë mbajtësit”, u shpreh Mehmeti.
Po ashtu, ai tha se është edhe rekomandim i FMN-së për t’i rishikuar tarifat.
“Duke u bazuar me rregullat dhe rekomandimet e FMN, ka ardhur rekomandimi që të rishikohen tarifat. Rishikimi tarifave nuk është bërë që nga viti 2001. Faktori i parë është rritja e dëmeve, rritja e pagesave, aplikimi i sistemit bonus malus e ka rrit inflacioni që nga viti 2012 në 33 për qind sipas ASK. Kompanitë e sigurimet kanë bërë kërkesë për 35.6 për qind, por ne e kemi refuzuar pasi që nuk i kanë dhënë të gjitha sqarimet. Në vitin 2001 kur është paguar ky prim, ne nuk e kemi pasur pagesën për sigurime në Shqipëri, ku vetëm për vitin 2018 kemi paguar 420 mijë euro sigurime”, tha ai.
Ndërkaq, zëvendësguvernatori Sokol Havolli, tha se ky vendim për rritjen e tarifave, u bë për mbrojtje të klientëve.
“Duhet të kapitalizohet industria e sigurimeve. Duhet të kemi sektor të shëndetshëm të sigurimeve, kompanitë e sigurimeve duhet të jenë të gatshme të mbulojnë obligimet ndaj qytetarëve e të mos mbesin borxh. Do të marrim masa për kompanitë që nuk i tregojnë problemet. Kemi pasur rënie të aseteve të kapitalit. Ju kemi dhënë ultimatum kompanive që ta zbatojnë rregulloren e shpenzimeve. Do të rishikojmë tregun e sigurimeve që TPL të mos jetë burimi kryesor i fitimeve të kompanive të sigurimeve”, u shpreh Havolli.
Ai në konferencë tregoi edhe arsyetimet tjera se pse është marr ky vendim.
“Për industrinë e sigurimeve ka rëndësi paga mesatare, pasi që këto duhet t’i paguajnë pagën për pjesën tjetër të jetës së të aksidentuarit. Me një prim të njëjtë edhe vlera e lartë e veturës. Vlera e primit ka mbet e njëjtë është rrit nga 450 euro që ka qenë pasluftës në 1,300 euro aktualisht. Jemi të vetëdijshëm se ka mospajtime, por vendimi është mbrojtja e mbajtësve të polisave të sigurimit. Të hyrat e primit nga aplikimi i skemës bonus malus kanë qenë për 20 për qind më të vogla”, tregoi ai.
Ndryshe shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka kërkuar që kompanitë e sigurimeve të trajtohen dhe vlerësohen si aset dhe faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe i stabilitetit financiar të vendit, pasi pronarët real të kompanive të sigurimit janë qytetarë te Kosovës./Telegrafi/