Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se i ka shkruar Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen lidhur me një çështje serioze që tashmë siç thotë Bislimi ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Bislimi në një postim në Facebook shkruan se pagesa e financuar nga Qeveria e Kosovës prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të Këshillit Kombëtar Shqiptar, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi


Lexoni të plotë postimin e Bislimit:

Sot kam njoftuar z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale.

Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.

Pra ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë.

E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht. Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ.

Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. /Telegrafi/