Bill Gates befasoi me deklaratat mbi ndryshimet klimatike

Në një largim të papritur dhe të rëndësishëm nga komuniteti i aktivistëve të klimës që paralajmërojnë për “fundin e botës”, Bill Gates, një nga mbështetësit kryesorë të reduktimit të emetimeve të karbonit, publikoi një ese në të cilin pretendon se fondet duhet të ridrejtohen nga lufta kundër ndryshimeve klimatike.
Në vend të kësaj, sipas Gates, filantropët globalë duhet të rrisin investimet në përpjekje të tjera të fokusuar në parandalimin e sëmundjeve dhe urisë.
Ndryshimet klimatike nuk do të shkatërrojnë njerëzimin, shkroi ai, dhe përpjekjet e deritanishme për të arritur zero-emetime kanë sjellë përparim të prekshëm. Por, Gates mendon se shumë nga investimet e deritanishme në luftën kundër ndryshimeve klimatike kanë qenë të gabuar dhe se është harxhuar shumë para në projekte të shtrenjta dhe të diskutueshme.
“Përmirësimi i jetës është më i rëndësishëm se emetimet e karbonit dhe ndryshimi i temperaturës”, tha ai.
Megjithëse theksoi se investimet në luftën kundër ndryshimeve klimatike duhet të vazhdojnë, ai paralajmëroi se prerjet në financimin e USAID nga presidenti amerikan, Donald Trump krijojnë probleme të reja dhe kërcënojnë me dëm të qëndrueshëm global në luftën kundër urisë dhe sëmundjeve të parandalueshme.
“Ndryshimet klimatike, sëmundjet dhe varfëria janë të gjitha probleme të mëdha. Duhet t’i trajtojmë ato proporcionalisht me vuajtjet që shkaktojnë”, shkroi Gates. Sipas mendimit të tij, prerjet e financimit nga administrata Trump kërkojnë ridrejtim urgjent të investimeve dhe burimeve për të mbështetur këto fusha të neglizhuara, transmeton Telegrafi.
“Edhe pse ndryshimet klimatike do të kenë pasoja serioze, veçanërisht për njerëzit në vendet më të varfra, ato nuk do të çojnë në zhdukjen e njerëzimit. Kjo është një mundësi për t’u rikthyer në fokus tek një tregues që duhet të jetë më i rëndësishëm se emetimet dhe ndryshimi i temperaturës: përmirësimi i jetës”, shtoi ai.
“Qëllimi ynë kryesor duhet të jetë parandalimi i vuajtjeve, veçanërisht atyre të njerëzve që jetojnë në kushtet më të rënda në vendet më të varfra të botës”, është i bindur miliarderi amerikan. Eseja e Gates, që shumë e panë si befasuese, u publikua para COP30, samitit global të dedikuar luftës kundër ndryshimeve klimatike që do të mbahet muajin e ardhshëm.
Administrata Trump ka shfuqizuar USAID, organizatën ndërkombëtare të ndihmës që çdo vit ofronte rreth 8 miliardë dollarë ndihmë në ushqim dhe ilaçe për vendet ku banorët nuk kanë qaje në këto nevoja bazë.
Gates hodhi poshtë pretendimet se qëndrimi i tij i ri përfaqëson një ndryshim mendimi në krahasim me vitet e mëparshme. Në ese ai theksoi se bota duhet të vazhdojë të mbështesë përpjekjet drejt arritjes së zero-emetimeve të karbonit.
Megjithatë, në një intervistë të njëjtën ditë për Andrew Ross Sorkin në CNBC, Gates pranoi se tërheqja e investimeve nga lufta kundër ndryshimeve klimatike është një hap i nevojshëm. Ky ndryshim përfaqëson një largim të qartë nga fokusimet dhe aktivitetet e tij të mëparshme filantropike, të cilat përfshinin investime në kompani të energjisë së pastër dhe iniciativa lobuese.
Për shembull, në një ese të publikuar në 2023 në faqen e Breakthrough Energy, e cila më pas u hoq, Gates shkroi se shumica e njerëzve në botë po luftojnë me pasojat e ndryshimeve klimatike, një ndjesi që mund të jetë “shkatërruese” dhe kërkon një përgjigje “pa precedent” në shkallë dhe shpejtësi. /Telegrafi/

















































