LAJMI I FUNDIT:

Bijës, para pushkatimit: Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot

Bijës, para pushkatimit: Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot

Nga: Luljeta Progni

Letër vajzës 6-vjeçare, ishte i fundit mendim për Hilmi Hysin para se ta pushkatonin. Ishte dita e fundit, orët e fundit. Hilmi Hysi kërkoi nga drejtuesit e burgut që të lejohej të takonte doktor Zymën, që ishte caktuar të mjekonte të burgosurit. E kishte njohur kohë më parë dhe kishin qenë miq. Qëllimi i vetëm i këtij takimi nuk ishte mjekimi i plagëve, por letra që kishte shkruar për Lidian. Pas një bisedë me dhimbje me mikun e tij doktor Zyma, Hilmiu i la letrën dhe nisi rrugën e kthimit në qelinë ku po priste nga momenti në moment ta merrnin për ta çuar drejt pushkatimit. Doktor Zyma e çoi porosinë në vend, letrën drejtuar Lidjas ia dorëzoi bashkëshortes së Hilmiut, Myneveres. Është dhimbje çdo shkronjë e rreshtuar në atë copë letër para pushkatimit, dhimbje që do t’i mbetej përjetë në kujtesë bijës së vogël, Lidjas, motrës së saj dhe nënës Mynevere.

Letra është si më poshtë:


“Lidja ime e dashur!

Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtynë të shkruaj.

E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë… që ju nuk do të njihni ç’është lumturia, sepse do t’ju mungojnë të gjitha.

Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos t’ju vijë keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.

Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!

Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara; shoh lotët e tu. Lili! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira, mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde.

Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.

Me mall të puth yt atë Hilmiu!

Tiranë, janar 1948”

Hilmi Hysi, u arrestua në vjeshtën e vitit 1947, i akuzuar për bashkëpunim me grupin e tretë të deputetëve, ku ishte pjesë edhe Riza Dani. Ishte bir i një familje me tradita patriotike, nga Vërzhezha e Skraparit. Mësimet e para i kreu në shkollën e Vërzhezhës dhe më pas shkollën plotore në Fier. Kreu me rezultate të shkëlqyera, medalje të artë, Liceun e Korçës ku krahas gjuhës frënge mësoi dhe anglisht dhe më pas filozofi. Në vitin 1932, në kuadrin e 20-vjetorit të formimit të shtetit të parë shqiptar, fitoi Konkursin Kombëtar në Letërsi me novelën “Shqiptarja përpara rrezikut”. Për rezultate të larta në mësime, fitoi bursë nga qeveria e Zogut për Drejtësi në Francë, ku përfundoi studimet e larta shkëlqyeshëm (diplomat e tij ndodhen në katin II-të të Muzeut Kombëtar, Pavijoni i të Përndjekurve Politikë). Studimet në Francë i nisi më 1 qershor 1935. Në të njëjtën kohë në atë Montpellier ishte edhe Abaz Ermenji, të cilin e kishte pasur nxënës në gjimnazin e Shkodrës. Në të njëjtin qytet ishte student edhe një tjetër shqiptar që quhej Enver Hoxha. Hilmiu shkëlqeu në universitet dhe shokët e tij studentë shqiptarë i këshillonte shpesh që të përqendroheshin tek mësimet. Një prej tyre kishte qenë edhe studenti Enveri i cili nuk i ndiqte studimet dhe për këtë Hilmiu e kishte këshilluar shpesh se ishte atje për të studiuar. Kjo këshillë dhe gjithçka pa në jetën e dyshimtë të studentit shqiptar nga Gjirokastra, do t’i kthehej në telashin e madh të jetës së tij, do ta çonte drejt pushkatimit.

Sipas Protokollit Nr. 21, dt. 6 prill 1939, Hilmi Hysi përfundon studimet për Drejtësi i jepet: “Diplomë de Baçbelier en Droit, Hilmi Hysi Skrapar-Albania”. Firmosur nga Ministër de Edukation Francë.

Pas përfundimit të studimeve u kthye në atdhe ku filloi punë si atashe pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me pushtimin nga Italia, Hilmiu mbeti pa punë, ndërsa në vitin 1943 nisi punë si gjyqtar pajtues. Nga martesa me Myneveren, vajzën e Maliq Vlushës, gjithashtu familje patriotësh, lindën dy vajzat, Lidja (Lili) dhje Lauraminerva (Beçi).

Në maj të vitit 1945 Himsi Hysi, u emërua kryetar i Gjykatës Gjirokastër, post në të cilin qëndroi për dy vjet. U arrestua më 4 janar 1947 me dekretin Nr. 261 dt. 4 janar 1947. Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, pëlqen vendimin e Prokurorit të Republikës, për pushimin nga detyra dhe arrestimin e Hilmi Hysit, “me shërbim në Gjinokastër”.

Gjyqi filloi më 31 dhjetor 1947, një ditë para Vitit të Ri dhe si seancë e parë mbaroi më 3 janar 1948.

Mbas një viti në hetuesi, Hilmi Hysi u dënua si pjesëmarrës në të ashtuquajturin “Grupi i dytë i deputetëve”. Në këtë grup prej 19 personash, vetëm gjashtë ishin deputetë: Kostandin Boshnjaku, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uran Filipi dhe Surja Selfo. Me shumicën e të akuzuarve Hilmiu nuk njihej as me fytyrë e jo më të bënin komplot.

E dënuan me vdekje, pa marrë parasysh pafajësinë, punën, përkushtimin dhe moshën e tij (akoma nuk i kishte mbushur 35 vjetët). Nuk morën parasysh kontributin e madh që kishte dhënë vetë dhe gjithë familja e tij (vëllai i Hilmiut, Abdullai kishte qenë në kamp përqendrimi në Kretë dhe u angazhua më pas me lëvizjen komuniste).

Gjyqi ndaj Himli Hysit e 19 të tjerëve nisi më 31 dhjetor 1947 dhe përfundoi më 3 janar 1948. U dënuan me pushkatim Hilmi Hysi, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uran Filipi, Surja Selfo, Hasan Reçi. Me burgim të përjetshëm u dënuan: Kostandin Boshnjaku, Isuf Hysenbegasi, Demir Kallamata, Hivzi Kokolari, Mestan Ujaniku, Nexhi Bakalli, Ibrahim Hasën, Arif Gjyli, Bexhet Shehu. Ndërsa Adem Beli u dënua me 20 vjet burg, Halit Gjolena me 20 vjet burg, Kamber Backa me 15 vjet burg. /Materialet dhe letra janë marrë nga libri “Dosja e Diktaturës”, me autor Pjetër Pepa/