LAJMI I FUNDIT:

Bie besimi i bizneseve në Shqipëri, përmirësohet ai i konsumatorëve

Bie besimi i bizneseve në Shqipëri, përmirësohet ai i konsumatorëve

Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi nivelin 110.9 në muajin tetor duke qëndruar në të njëjtën vlerë si në muajin shtator dhe 10.9 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Gjatë këtij muaji, treguesi i besimit konsumator u përmirësua, ndërsa treguesit e besimit të gjithë aktiviteteve të bizneseve shënuan rënie. Sektori që regjistroi rënien më të madhe të besimit ishte ai i industrisë.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 3.7 pikë përqindjeje në muajin tetor, i ndikuar nga vlerësimet pesimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Megjithatë, niveli i treguesit qëndron 6.6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve për çmimet në këtë sektor janë në rënie, ndërkohë që ato për prodhimin dhe punësimin janë në rritje.


Treguesi i besimit në ndërtim ra me 1.9 pikë përqindjeje në muajin tetor. Ky tregues qëndron rreth 15 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rënia këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues ashtu edhe për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin janë në rritje dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 1 pikë përqindje në muajin tetor. Megjithatë, niveli i këtij treguesi qëndron në intervalin e vlerave të larta historike, rreth 17.5 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit dhe kërkesa aktuale, kanë regjistruar rënie të lehtë. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Treguesi i besimit në tregti u tkurr me 2.2 pikë përqindje në muajin tetor, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet për ecuri aktuale më të dobët të biznesit. Në të kundërt, bizneset e aktivitetit të tregtisë presin një rritje të porosive dhe të ecurisë së biznesit në të ardhmen e afërt. Niveli aktual qëndron rreth 9.8 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rënie.

Treguesi i besimit konsumator u rrit me 2.8 pikë përqindjeje në muajin tetor. Rritja relativisht e ndjeshme e vlerës së treguesit bëri që nivelin e tij të ngjitej me 2.2 pikë përqindjeje mbi mesataren historike. Treguesi i besimit konsumator u përcaktua nga pritjet më optimiste për situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha aktuale dhe për të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe për nivelin e papunësisë në të ardhmen janë rishikuar për poshtë. /Telegrafi/