Site icon Telegrafi

Biden rrëzohet gjatë një ceremonie të diplomimit të kadetëve ushtarakë në Kolorado

Joe Biden është penguar dhe ka rënë në një ceremoni diplomimi në një akademi të Forcave Ajrore të SHBA-së.

Presidenti amerikan u ndihmua shpejt nga tre persona dhe u kthye në vendin e tij.

Ndërsa 80-vjeçari u ndihmua të ngrihej, ai tregoi me gisht se çfarë e pengoi, raporton skynews.

Drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Ben LaBolt tha se presidenti amerikan ishte mirë. “Kishte një thes me rërë në skenë ndërsa ai po shtrëngonte duart me të diplomuarit”, tha ai.

Biden, i cili qëndroi në këmbë për pjesën më të madhe të ceremonisë disa orëshe për të shtrënguar duart me të diplomuarit, dukej se u përplas për diçka dhe ra në gjunjë.

Ai u ndihmua nga një oficer i Forcave Ajrore si dhe dy anëtarë të Shërbimit Sekret të SHBA-së. Të pranishmit, duke përfshirë disa anëtarë të delegacionit zyrtar në skenë, shikuan të shqetësuar përpara se presidenti të kthehej në vendin e tij.

Në fjalimin në Kolorado Springs para më shumë se 900 kadetëve, presidenti paralajmëroi të diplomuarit se po hyjnë në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, duke përmendur sfidat nga Rusia dhe Kina.

Ndryshe, presidenti amerikan u pa gjithashtu duke u penguar në një shkallë në faltoren Itsukushima në Japoni gjatë samitin të G7 në Hiroshima. /Telegrafi/

Exit mobile version