LAJMI I FUNDIT:

Bebe Rexha intervistë ekskluzive për Telegrafin: Dua të vij në Kosovë, ka qenë një ëndërr e imja gjithmonë ta vizitoj atë vend

Bebe Rexha intervistë ekskluzive për Telegrafin: Dua të vij në Kosovë, ka qenë një ëndërr e imja gjithmonë ta vizitoj atë vend

IF YOU WANT TO READ THIS INTERVIEW IN ENGLISH EDITION, PLEASE CLICK HERE.

Bleta ‘Bebe’ Rexha është emri që të gjithë e njohin që në dëgjimin e parë. Ajo është një nga shqiptaret më të suksesshme globalisht.

E lindur dhe rritur në Shtete e Bashkuara të Amerikës por me një kulturë tipike shqiptare që buron nga prejardhja e saj, Bebe Rexha, do të bëhej zëri i preferuar e miliona njerëzve në mbarë botën me muzikën e saj, e cila më shumë se sa profesion, është art në vetëvete dhe e thellë në kuptimin e saj.

Bebe Rexha u vu në dukje kur shtatë vite më parë shkroi hitin “The Monster” të interpretuar nga Rihanna dhe Eminem, dhe që atëherë nuk do të kishte një “stop” në rrugën e saj drejt suksesit. Rexha këtë vit solli për fansat e saj albumin e dytë në karrierë, “Better Mistakes”, pas suksesit të padiskutueshëm që pati me albumin e saj të parë “Expectations”, i publikuar tri vite më parë.


Bebe Rexha (Foto: Dennis Leupold)

Artistja shqiptare me famë botërore, vjen në këtë intervistë ekskluzive për Telegrafin, për të përshëndetur shqiptarët e saj dhe ata mbarëbotërorë, si dhe për të folur mbi sukseset që po shënon albumi i saj i dytë, “Better Mistakes” – një nga albumet më të shitura të momentit në tregun ndërkombëtar.

Rexha e cila aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka folur edhe për dëshirën e saj për ta vizituar Kosovën, gjë për të cilën thotë ka qenë një ëndërr e kahmotshme e saj, dhe duket se do të realizohet sivjet ose më së largu vitin e ardhshëm…

Bebe Rexha (Foto: Sam Massey)

Telegrafi: Ne kemi kaluar tashmë më shumë se një vit me pandeminë COVID-19. Si keni qenë ju dhe familja juaj gjatë gjithë kësaj kohe të vështirë?

Bebe Rexha: Falë Zotit, familja ime ka qenë vërtet mirë. Prindërit e mi u sëmuren me coronavirus, por ata janë mirë tani dhe janë shumë të fortë. Jam shumë mirënjohëse për shëndetin tim dhe familjes time!

Telegrafi: Ju keni publikuar albumin tuaj të dytë në karrierë, “Better Mistakes” në muajin maj. Na trego pak, sa kohë ju desh të punonit në të dhe sa e lumtur je tani që është i finalizuar?

Bebe Rexha:
U deshën rreth tri vjet që ky album të vinte, dhe unë jam aq e lumtur që tani ka dalë. Kam punuar aq shumë për të. Unë jam shumë mirënjohëse për të. Jam shumë e lumtur për muzikën e re – sepse bërja e muzikës është pasioni im i parë, kështu që ju e dini këtë.

Kopertina e albumit “Better Mistakes (E gjeni të plotë albumin KËTU)

Telegrafi: Përse vendosët ta titullonit atë “Better Mistakes”?

Bebe Rexha: Sepse mendoj se në jetë gabon dhe kjo është në rregull. Dhe ju përpiqeni të bëni gjithmonë më mirë. E dini, ne të gjithë bëjmë gabime, pavarësisht sa të moshuar apo të rinj jemi. Dhe gjëja më e mirë që mund të bësh është të përpiqesh të bësh më të mirën.

Telegrafi: Ju jeni shprehur se shumë nga këngët në këtë album janë të frymëzuara nga shëndeti juaj mendor. Ju gjithmonë keni folur hapur për këtë temë, cili është mesazhi që dëshironi të dërgoni përmes këngëve të “Better Mistakes”?

Bebe Rexha: Unë thjesht dua, e dini, njerëzit dhe fëmijët në të gjithë botën të mos ndihen vetëm dhe të dinë se ata janë të fortë dhe ata mund të kapërcejnë gjithçka për të cilën ata mendojnë. Dhe, thjesht doja të shkruaja këngë që i bëjnë njerëzit të mos ndihen sikur janë vetëm dhe mund të dëgjojnë këngët e mia dhe ta dinë që unë jam aty për ta.

Bebe Rexha (Foto: Bebe Rexha/Instagram)

Telegrafi: “Better Mistakes”  ishte paraparë të publikohej vitin e kaluar, por u vonua nga pandemia. A ju erdhi keq që u desh t’i linit fansat të presin?

Bebe Rexha: Po, u ndjeva vërtet keq. Jam ndjerë vërtet keq për këtë. E dini, fansat po mërziteshin. Ata po bëheshin të padurueshëm. Ata ishin si: “Eja, na sjell albumin”, dhe bëhej fjalë për albumin tim të dytë. Kështu që u ndjeva vërtet keq që i bëra fansat e mi të prisnin. Por ju e dini, unë desha të sigurohesha që ishte koha e duhur për ta publikuar atë.

Telegrafi: Kanë kaluar gati dy vite që kur keni vizituar Shqipërinë për herë të fundit, më saktësisht në kohën kur ndodhi tërmeti. Si u ndjetë kur patë që falë jush, një familje e prekur nga tërmeti u bë me shtëpi të re?

Bebe Rexha: Unë kurrë nuk kam qenë në Kosovë. Do të më pëlqente shumë të shkoja në Kosovë. Unë kurrë nuk kam qenë atje. Kam qenë në Tiranë dhe e dini, ishte shumë kohë e vështirë kur shkova herën e fundit. Unë isha në turne në atë kohë dhe kisha dy ditë të lira për të udhëtuar. Kështu që ne fluturuam për atje. Kemi mbledhur ca para dhe kemi ndihmuar, siç e dini ne e ndërtuam shtëpinë e një prej familjeve të prekura. Dhe sinqerisht, unë vetëm e bëra atë sepse unë ndjeva se duhej ta sjellja vetëdijen për atë që po ndodhte me tërmetet. Dhe thjesht u ndjeva sikur kisha nevojë të përdor platformën time, për të sjellë ndërgjegjësim dhe gjithashtu mund të sjellja vetëdije. Unë dua të sjell ndërgjegjësimin për kulturën time dhe vendin nga vjen familja ime. Dhe kjo ishte vërtet e rëndësishme për mua.

View this post on Instagram

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha)

Telegrafi: Kur pritet që Bebe Rexha të vijë përsëri në Shqipëri ose Kosovë?

Bebe Rexha: Jam me të vërtetë e emocionuar. Unë dua të shkoj atje me padurim. Thjesht nuk kam pasur kurrë kohë dhe dua, vërtet dua të shkoj në shtëpi.

Telegrafi: “Meant to be” është pa dyshim një nga sukseset tuaja më të mëdha. Kohët e fundit kjo këngë arriti në një miliard dëgjues në YouTube dhe Spotify. E keni imagjinuar ndonjëherë të keni këtë sukses në zhanrin ‘country’?

Bebe Rexha: Unë kurrë, kurrë nuk e kam imagjinuar këtë sukses. Unë e kam shkruar këngën me një grup të zhanrit ‘country’ [Florida Georegia Line] dhe ishte thjesht një befasi e këndshme. Jam shumë krenare për këtë. Dhe, jam shumë krenare që jam autore dhe interpretuese e këngës. Dhe po, unë isha shumë e tronditur nga suksesi.

Telegrafi: Me qëllim ju pyeta për konceptin e albumit dhe shëndetin mendor. Ju e publikuat albumin saktësisht gjatë majit, i cili njihet si një muaji i ndërgjegjësimit me personat që vuajnë nga sëmundjet e shëndetit mendor. Cili do të ishte mesazhi juaj për ata njerëz që nuk ndihen mirë dhe po vuajnë në këto momente?

Bebe Rexha: Unë do t’ju thoja “Mbani kokën lart”, një ditë në një kohë është shumë e rëndësishme dhe përpiquni të bëni gjëra që janë të mira për ju dhe të mira për shpirtin tuaj. Bëni ushtrime fizike, dëgjoni muzikën tuaj të preferuar, ndoshta mund të gatuani diçka. Mua më pëlqen të zhvendos vëmendjen duke gatuar.

Telegrafi: Kur jemi te ushqimi, a ju pëlqen të gatuani ushqimin tradicional shqiptar?

Bebe Rexha: O Zot i madh, unë e dua ushqimin shqiptar. Me të vërtetë i dua të gjitha ato që përfshihen në kuzhinën tonë tradicionale. Mua më pëlqen shumë ‘bureku’ dhe ‘fasulet’ dhe thjesht e dua shumë ushqimin shqiptar, por ‘bureku’ është i preferuari im. Pastaj më pëlqen ‘flija’, kështu që ato janë të preferuarat e mija dhe ne gjithmonë i bëjmë ato gjatë gjithë kohës në shtëpinë time. Unë di t’i gatuaj. Gjatë karantinës në të vërtetë po mësoja si ta gatuaja. Unë nuk bëra një punë edhe aq të shkëlqyeshme, por ishte në rregull. Por ju e dini, unë gatuaj pjesën më të madhe të kohës vetë, dhe vërtetë e dua ushqimin shqiptar. Unë e dua gatimin, si dashurinë.

Bebe Rexha (Foto: Bebe Rexha/Instagram)

Telegrafi: Bebe, faleminderit shumë për këtë intervistë. Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për shqiptarët?

Bebe Rexha: Mezi po pres të vij në Kosovë. Jam krenare që jam shqiptare dhe e dini, mezi pres të shoh të gjithë fansat e mi shqiptarë. Mezi pres të shkoj në Kosovë dhe ta shohë atë vend, jam shumë e ngazëllyer. Ne jemi njerëz shumë të fortë dhe jemi shumë të apasionuar dhe punojmë, ne punojmë shumë fort për gjithçka që kemi, dhe unë jam vërtet e emocionuar dhe jam shumë e lumtur nga të gjithë sukseset që vijnë nga artistët shqiptarë. Kjo tregon se ne jemi të fortë dhe jemi të talentuar dhe kjo më bën shumë emocionale. Dhe mezi pres të shoh se çfarë artistësh të tjerë vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, dhe unë thjesht jam e ngazëllyer për të ardhmen e njerëzve tanë. Dhe unë thjesht mendoj se kemi kaq shumë, kaq shumë mundësi dhe kaq shumë gjëra të bukura që vijnë nga vendi ynë. Kështu që jam vërtet e emocionuar. Unë thjesht, me të vërtetë nuk mund të pres deri sa të vijë ai moment. Është si një ëndërr dëshira për të ardhur në Kosovë, ndoshta do të vij këtë vit, ose ndoshta në vitin e ardhshëm, unë me të vërtetë dua të shkoj atje. Ndoshta do të vij edhe më herët nga sa e mendoni, do të më pëlqente, ka qenë një ëndërr e imja prej kohësh ta vizitoj Kosovën. /Telegrafi/

Bebe Rexha (Foto: Heather Hazzan)