Baton Zabërgja pritet të shitet në Rusi, ylli vushtrrias do të bëhet transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit shqiptar

Baton Zabërgja pritet të bëhet lojtari më i shtrenjtë në historinë e Superligës së Shqipërisë, duke lënë pas çdo transferim të regjistruar edhe në Superligën e Kosovës.
Një klub nga Rusia është pranë dërgimit të një oferte zyrtare për Dinamon e Tiranës, për të siguruar shërbimet e sulmuesit kosovar që po shkëlqen këtë sezon.
Telegrafi mëson se skuadra ruse Rubin Kazan e ka bërë prioritet transferimin e yllin e Dinamo Cityt.
Dinamo ka vendosur një çmim prej 2.5 milionë eurosh dhe është në pritje të konfirmimit të ofertës nga klubi rus. Nëse marrëveshja finalizohet, Zabërgja do të bëhet lojtari më i vlefshëm që ka dalë ndonjëherë nga Kategoria Superiore e Shqipërisë.
Në 42 ndeshje zyrtare këtë edicion në të gjitha garat, Zabërgja ka shënuar 15 gola dhe ka dhuruar 10 asistime, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të Dinamos.
24-vjeçari ka nisur karrierën te Vushtrria dhe më pas ka luajtur për Drenicën dhe Gjilanin në futbollin e Kosovës, para se të transferohej në Shqipëri.
Ironikisht, Dinamo e Tiranës e mori atë falas nga Gjilani dhe tani është shumë pranë një shitjeje historike që mund të hyjë në librat e rekordeve të futbollit shqiptar.
Zabërgja është edhe pjesë e Kombëtares A të Kosovës, duke përfaqësuar vendin e tij në arenën ndërkombëtare dhe duke rritur edhe më shumë profilin e tij.
Ky transferim i mundshëm shihet si një sukses i madh financiar për Dinamon, që do të përfitojë ndjeshëm nga shitja e një lojtari të marrë pa kosto dhe që është kthyer në një aset të çmuar brenda një kohe të shkurtër. /Telegrafi/



















































